Myftiu Sytari: Larg alkoolit, larg drogës! Ruajuni nga mallkimi i Zotit!

Që në krye të herës, ne si muslimanë jemi të ftuar si besimtarë, të distancohemi totalisht nga krejt ndalesat hyjnore, të qartësuara në Kur’anin Famëlartë dhe në hadithet e Hz. Muhammedit (a.s).

Të dashur dhe të shtrenjtë, rinia e jonë besimtare,

Kam dëshirë që këtë mesazh ta zhvilloj në formën e një bashkëbisedimi me maturantët e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër, si dhe ata të krejt trojeve shqiptare, në kuadër të sensibilizimit të opinionit publik, komunitetit dhe bashkësisë muslimane në lidhje me përhapjen në masë të disa fenomeneve dhe veseve të dëmshme për individin dhe shoqërinë.

Që në krye të herës, ne si muslimanë jemi të ftuar si besimtarë, të distancohemi totalisht nga krejt ndalesat hyjnore, të qartësuara në Kur’anin Famëlartë dhe në hadithet e Hz. Muhammedit (a.s).
All-llahu i Madhëruar i tërheq vëmendjen të dërguarit të Tij dhe mbarë njerëzimit, kur thotë: “Thuaj: “Zoti im i ndaloi të këqijat e turpshme, qofshin të hapta ose të fshehta, ndaloi gjynahun, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t’i mvishni All-llahut shok pa patur për të kurrfarë argumenti, dhe ndaloi të thoni për All-llahun atë që nuk e dini se është e vërtetë!” – (Kur’ani, El-A’rafë: 33.) , sikurse dëshmon për besimtarët, se, “… ata që iu shmangën mëkateve të mëdha e të shëmtuara…” – (Kur’ani, Esh-Shura: 37.)

Të dashurit e mi,

Të gjithë ne, po ndjekim prej vitesh me shqetësim të madh përhapjen në masë të alkoolit, duhanit, basteve, të quajturave “lojra të fatit”, kumarit, shthurrjes morale, divorceve për shkak të dhunës në familje, tradhëtive bashkëshortore, degradimit të moralit dhe zhdukjes së turpit nëpërmjet keqpërdorimit të rrjeteve sociale, si fb, instagram etj., si dhe së fundi, përhapja në masë e mbjelljes, kultivimit dhe përhapjes së bimëve narkotike dhe drogërave të ndryshme, që po kthehen në një gangrenë të dhunshme për shoqërinë shqiptare, rininë në veçanti!

Nga pozita e Myftiut të Zonës Shkodër dhe në emër të Myftinisë Shkodër, ftoj të gjithë besimtarët muslimanë dhe bashkëqytetarët e mi, rininë e shtrenjtë në veçanti, të distancohen nga krejt sa përmenda më lart, sepse konsumimi i duhanit, alkoolit (me krejt llojet e tij), drogërave, është shkaktar i dëmeve të pallogaritura morale, shëndetësore, ekonomike, sociale, por jo vetëm!

Njëkohësisht, tërheq vëmendjen e krejt besimtarëve dhe bashkëqytetarëve të mi për të mos e humbur kohën, shëndetin dhe pasurinë e hallallit pas bixhozit, basteve, kazinove, sepse nuk është në natyrën e muslimanit dhe besimtarit, frekuentimi i vendeve ku shkelet fjala e Zotit, ku dëmtohet familja, ku prishet morali, ku njeriu kthehet në skllav i shejtanit të mallkuar, epsheve dhe kapriçove, tekave dhe errësirës!

Të dashur besimtarë, bashkëqytetarë të shtrenjtë,

Në Kur’anin Famëlartë, All-llahu Mëshirëplotë urdhëron: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar! Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të mbjellë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit e All-llahut dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” – (Kur’ani, El-Maide: 90-91.)

Sa e sa lokale, restorante dhe kafene janë përhapur gjithandej në qytetin tonë, ku fatkeqësisht gjen me dhjetra e qindra lloje pijesh alkoolike të ekspozuara në vitrina e nëpër menu?! (Më ka rastisur ta pyes një të ri musliman, që mbante në lokalin e tij pije të ndryshme alkoolike. Me shumë siklet ma ktheu: “Hoxhë, ne s’e pijmë alkoolin, por na duhet patjetër se e kërkojnë njerëzit!?” – Po ajo që kërkon Zoti, është më pak e vlefshme,sesa dëshirat e paekuilibruara të njerëzve?!)

Sa e sa trotuare janë zënë nga tavolinat, prej ku kutërbon era e alkoolit dhe e duhanit, me të cilin përballen ditë pas dite fëmijët, rinia, gratë, të moshuarit, studentët dhe krejt kalimtarët e dhunuar në hapësirat e tyre publike?

Sa herë na ka ndodhur të përballemi me festa publike alkooli, përpara institucioneve më të rëndësishme të qytetit tonë, prej ku, në fakt duhet të dalin udhëzime dhe ndërmarrje konkretet për disiplinimin e kësaj katrahure sociale, që po i merr frymën qytetit dhe po infekton rininë tonë me veset më të liga!

Sa e sa gëzime familjare, tryeza drekash e darkash, pritjesh e nderimesh, deri protokollare, janë të mbushura me pije alkoolike, ndërkohë, në mbarë botën përgatiten programe konkrete për luftën kundër alkoolit, drogës, hashashit, duhanit etj?!

Ndërkohë, në vitin 1924, nëpërmjet revistës “Zani i Naltë”, mësojmë se: “Sot, luftimi më i math moralisht ashtë kontra pirjeve… Më 1900 nga Shtetet e Bashkume vetëm pesë e ndalunë… kur erdhi moti 1919, sasija e shteteve pirje-ndaluse kapi numrin 32”. – (H. ALI, “Të ndryshme përmbi moralin”, në revistën “Zani i Naltë”, nr. 10, korrik 1924, viti I, f. 344.)

Me dhimbje, Hafiz Ali Korça pyeste: “Shohim një njeri që nuk qit në muajt 100 fr.ari, ku i gjen qi prish ndë natët (pra, për çdo natë), 2-3 fr.ari vetëm për pije?” – (Po aty, f. 345.)

Po sot, tek ne? Zoti e ndaftë me hajr këtë katastrofë!

Të dashurit e mi,

Resulull-llahu (a.s) ka thënë prerazi: “All-llahu e ka mallkuar pijen dehëse, edhe atë që e konsumon (duke e pirë), edhe atë që e shërben, edhe shitësin e saj, edhe atë që e blen atë, edhe atë që e shtrydh atë, (duke e përgatitur për fermentim etj.), edhe atë për të cilin shtrydhet, edhe atë që e bart atë, edhe atë që i shërbehet (duke u bartur arkat e alkoolit, si pronarëve të lokaleve e ngjashëm) dhe atë që ushqehet nga frutet e kësaj pune” – (Ebu Davudi dhe Hakimi.)

Vetëm nëpërmjet këtij hadithi, kuptohet qartë se si trajtohen pijet dehëse në Islam! Zero tolerancë, zero hapësirë, zero mundësi! Prandaj, sërish ftoj krejt besimtarët muslimanë, rininë tonë në veçanti dhe krejt bashkëqytetarët tanë: LARG ALKOOLIT, LARG DUHANIT, LARG DROGËS! RUAJUNI NGA MALLKIMI I ZOTIT!

All-llahu e ruajtë rininë shqiptare, individin shqiptar, familjen shqiptare dhe na udhëzoftë nga Drita e Tij, para se të jetë vonë e të meritojmë ndëshkimin e Tij në këtë botë para të përtejmes! All-llahumme Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 20 tetor 2016
(Nga mesazhi-bashkëbisedim me maturantët e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër)