Nafta në rënie për shkak të Covid-19, rritja e infektimeve shqetëson investitorët

Ndër zhvillimet e tjera, Arabia Saudite rriti çmimet për shitjen e naftës për kontratat e gushtit, një shenjë që kërkesa po rimëkëmbet.

Nafta po qëndron në rënie gjatë sesionit të sotëm, për shkak të rritjes së rasteve të reja me koronavirus, sidomos në SHBA, që mund të dëmtojë kërkesën. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 42.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 40 dollarë për fuçi. 16 shtete amerikane kanë raportuar një rritje rekord të rasteve të reja me Covid-19, në 5 ditët e fundit. Për këtë arsye, Florida ka rikthyer disa kufizime, në përgjigje të rritjes së infektimeve.

Kalifornia dhe Teksasi, dy ndër shtetet më të populluara dhe më të rëndësishme ekonomikisht në SHBA, gjithashtu kanë raportuar një normë të lartë infektimesh, në raport me testet e kryera. Edhe vende të tjera të botës, sidomos Australia, po goditen nga infektimet e reja.

Ndër zhvillimet e tjera, Arabia Saudite rriti çmimet për shitjen e naftës për kontratat e gushtit, një shenjë që kërkesa po rimëkëmbet. Në anën tjetër, tregu amerikan i naftës po përballet me paqartësi për shkak të mbylljes së  tubacionit në Dakota, një ndër arteriet kryesore të transportimit të naftës nga Dakota e Veriut drejt rajoneve të Gjirit në SHBA, për arsye mjedisore. /Scan