Anëtarësimi në NATO nuk paraqet vetëm një qëllim strategjik për vendin, sepse anëtarësimi shikohet si një mundësi e mirë për të përmirësuar shtetin, institucionet dhe veten si individë, deklaroi ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, në debatin me temë “Perspektivat nga anëtarësimi maqedonas në NATO”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në prani të ambasadorëve të huaj të akredituar në vend, ekspertëve dhe zyrtarëve tjerë nga vendi, Shekerinska tha se anëtarësimi në NATO do të thotë se që nga ky moment, “ne jemi pjesë e klubit i cili na bën të kemi përgjegjësi dhe obligime, pasi në çdo takim, ne do të jemi të analizuar dhe vlerësuar në bazë të veprimeve tona, prandaj në muajt e ardhshëm do të formohet fotografia për Maqedoninë e Veriut si një anëtare e ardhshme e NATO-s”.
Ajo tha se sjellja e Maqedonisë së Veriut në NATO, do të jetë një kriter shumë i rëndësishëm edhe për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Aleanca e NATO-s dëshmoi se di të ndihmojë vendet për të zgjidhur problemet dypalëshe si dhe ato rajonale. Suksesi ynë nuk janë vetëm zgjidhjet e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë, por ratifikimet e para që u bënë pikërisht nga fqinjët tanë”, tha Shekerinska duke shtuar se 20 vjet më parë rajoni ka qenë i përfshirë në konflikte, dhe tashmë i tërë ky rajon ka ndryshuar pozitivisht.
Koordinatori Nacional për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Stevo Pendarovski, në fjalën e tij tha se me anëtarësimin në Aleancë, vendi konfirmon dhe vulosë kufijtë e tij, megjithatë shtoi se luftrat për territore i takojnë të kaluarës, dhe se kërcënimet më të mëdha me të cilat përballet NATO, aktualisht janë kërcënimet kibernetike ku Aleanca investon shumë dhe ndihmon anëtaret e saj të jenë të përgatitura mirë.
Ai rrëfeu se menjëherë pas nënshkrimit të protokollit në Bruksel, akoma pa mbërritur në aeroport kishin marrë një sërë informacionesh sepse tashmë vendi është pjesë e Aleancës.
“Vendet e NATO-s kanë shumë informacione për ekstremizmin fetar i cili është një problem edhe i rajonit tonë. Sipas të dhënave të shërbimeve tona, janë mbi 150 persona që kanë luftuar apo ende luftojnë në Lindjen e Afërt, nga të cilët gjysma janë kthyer në rajon ose tek ne, dhe këta mund të shkaktojnë probleme të mëdha”, tha Pendarovski për të shtuar se vendi nuk ka mekanizma për të mbuluar tërë atë territor me informacione të inteligjencës për synimet e atyre personave pasi të kthehen, por NATO ka dhe mund të ndaj këto informacione.
Në debatin e sotëm pritet që njohësit e zhvillimeve të këmbejnë ide dhe informacione rreth perspektivave që e presin vendin pas anëtarësimit në NATO, ndërsa në fillim të tij, ambasadorja e Kroacisë, Danijella Barishiq i dorëzoi kolegut të tij nga Sllovenia, Millan Jazbec, “pikën e kontaktit” të Maqedonisë së Veriut me NATO-n që është ambasada e këtij vendi në Shkup.



