Ndërron jetë në spital 69-vjeçari

U vra nga nipi, i cili donte ta grabiste...

Një 69-vjeçar, i cili mbrëmjen e së mërkurës u gjet i plagosur në shtëpinë e tij në lagjen “Rilindja” të Vlorës, gjeti vdekjen në spital.

Ngjarja u njoftua tek policia nga nipi i të moshuarit, që siç rezulton këtë mëngjes është edhe autori i kësaj vrasjeje, raporton Klan.

Ky i fundit e njoftoi policinë rreth orës 20:40. Ai deklaroi se e kishte gjetur derën e shtëpisë të hapur, gjyshin të gjakosur dhe se grabitësit kishin marrë 1 milionë Lekë.

Madje pas kësaj, me gjakftohtësi, ai dha edhe intervistë në media. Por gjatë natës 69-vjeçari ndërroi jetë në spital dhe ekspertiza zbuloi se ai ishte qëlluar me plumb pistolete pas koke.

Personi që kishte dashur ta grabiste, e në tentativë e sipër e kishte qëlluar të moshuarin me armë, ishte pikërisht nipi.

Ai mësohet se e ka pranuar vrasjen përpara autoriteteve policore dhe u ka treguar se ku e kishte fshehur armën e krimi. Nipi jetonte në një shtëpi me viktimën, pasi prindërit i kishin humbur jetën në një aksident.