Ndërtime të paligjshme në bregdetin e jugut – Policia arreston 2 shtetas për shpërdorim detyre dhe shpall në kërkim 2 të tjerë

Policia bën me dije se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e këtyre shtetasve

Policia e Shtetit njofton se seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas një pune intensive hetimore disa javore, në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurisë̈ “Arrest në burg”, bëri ndalimin e shtetasve:

  • R.H., 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë;
  • E.Z., 30 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.

Sipas njoftimit u bë shpallja në kërkim edhe e shtetasve:

  • M.N., 36 vjeç banues në Sarandë dhe DH. B., 53 vjeç, banues në Himarë, të dy me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.

Policia bën me dije se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e këtyre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. /scan