Pandemia mbylli 408 biznese të huaja vetëm në 2020-ën

Ndër vendet e origjinës së pronarëve të huaj, Italia bie në sy si vendi që ka pasur rënien më të fortë të numrit të bizneseve aktive.

Pandemia ka detyruar një pjesë të bizneseve me pronarë apo bashkëpronarë të huaj të mbyllin aktivitetin e tyre. Të dhënat e fundit të INSTAT zbulojnë se vitin e kaluar, ky numër subjektesh ra në 6035, nga 6443 në vitin 2019.

Sipas ekspertit kontabël, Artan Xhiani, i cili është në kontakt të vazhdueshëm me sipërmarrje të huaja, arsyet lidhen më së shumti me kufizimin e lëvizjes dhe pasiguritë që shoqëruan veçanërisht fillimin e pandemisë.

Ndër vendet e origjinës së pronarëve të huaj, Italia bie në sy si vendi që ka pasur rënien më të fortë të numrit të bizneseve aktive. Sipas Xhianit, anëtar i dhomës së tregtisë Confindustria Albania, bëhet fjalë vetëm për një mbyllje momentale.

Sektorët ku janë mbyllur më së shumti bizneset e huaja i takojnë fushës së tregtisë, industrisë përpunuese dhe shërbimeve. Por, ka pasur edhe sektorë si ndërtimi dhe teknologjia e informacionit, që kanë përfituar nga zhvillimet e fundit, duke rritur prezencën në vendin tonë. /a2news