Në pranga një 50-vjeçar në Krujë, iu gjetën 19 kg kanabis

Policia e Krujës godet një rast të prodhimit dhe shitjes të lëndëve narkotike.

Finalizimi i operacionit “Derveni 2” ka çuar në  pranga një shtetas, ndërsa  janë sekuestruar 19 kg kanabis.

“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Strukturat Policore se një shtetas në fshatin Derven ushtron veprimtari të paligjshme në fushën e lëndëve narkotike, menjëherë u organizuan Shërbimet duke e goditur këtë rast dhe arrestuar në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, shtetasin A. Gj., 50 vjeç” njofton policia.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 19 kg lëndë narkotike e dyshuar Canabis Sativa, tre aparate celularë dhe DVR, transmeton Ora News.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.