Një takim midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, është planifikuar gjatë Samitit të G20 këtë fundjavë në Argjentinë, bëri të ditur zëdhënësi i Presidencës së Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndihmësi presidencial Yury Ushakov nesër do të njoftojë gazetarët për axhendën e takimit dhe detaje tjera, tha zëdhënësi Dmitri Peskov.
Ky njoftim vjen pasi vëmendja globale është mbi bin Salman dhe rolin e tij të mundshëm në vrasjen e muajit të kaluar të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në Stamboll.
Duke komentuar mbi anulimin e mundshëm të takimit të Putinit me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, Peskov tha se Kremlini nuk ka marrë asnjë njoftim për këtë.
“Përgatitjet vazhdojnë, takimi është dakorduar. Nuk kemi ndonjë informacion tjetër nga homologët tanë amerikanë,” tha Peskov.
Trump për “The Washington Post” tha se takimi mund të anulohej për shkak të konfrontimit ruso-ukrainas të së dielës në një ngushticë pranë Krimesë, që përfundoi me lëndime dhe konfiskimin e anijeve të Ukrainës nga Rusia.



