“Nëse pushtohet Ukraina do të përjetohet luftë në përmasa të papara që nga Lufta e Dytë Botërore”

Shefi i Shtabit të Britanisë, Tony Radakin, tha se një pushtim i mundshëm nga Rusia ndaj Ukrainës do të jetë në “një përmasë të paparë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Radakin në fjalimin e parë të tij pas ardhjes në detyrë në fillim të muajit, tërhoqi vëmendjen mbi sfidat rreth Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut dhe theksoi se pamja lidhur me sigurinë në 30 vitet e fundit është komplekse dhe e rrezikshme si asnjëherë më parë.

Aktivitetet e Rusisë janë “një kërcënim për vlerat dhe interesat e Perëndimit”, theksoi Radakin, i cili gjithashtu akuzoi Kinën për sfidimin e normave ndërkombëtare në fushat si lundrimi i lirë, frikësim ekonomik ose diplomaci agresive.

Ndërsa në një deklaratë të bërë më pas për gazetarët, Radakin tha se përbën “shqetësim të thellë” kriza që Rusia ka shkaktuar me dërgimin e dhjetëra mijëra ushtarëve rusë në kufirin e Ukrainës pas rreth 8 vitesh nga aneksimi i Krimesë.

Radakin vuri në dukje se në rast të realizimit të skenarit më të keq lidhur me pushtimin e plotë të Ukrainës, në Evropë do të përjetohet një luftë në përmasa të papara që nga Lufta e Dytë Botërore.