Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se Izraeli ka rënë dakord për një armëpushim të përkohshëm 10-ditor me Libanin, por ka këmbëngulur se forcat izraelite do të mbeten në jug të Libanit, pavarësisht kërkesës së Hezbollahut për tërheqjen e plotë të tyre, transmeton Anadolu.
Netanyahu në një deklaratë tha se ka pranuar “armëpushim të përkohshëm për 10 ditë” me qëllim që të vazhdojnë diskutimet e nisura mes zyrtarëve libanezë dhe izraelitë në Washington në fillim të kësaj jave.
“Hezbollahu kërkoi që ne të tërhiqemi në vijat ndërkombëtare dhe të pranojmë parimin ‘qetësi për qetësi’. Unë nuk pranova asnjërën nga këto kërkesa”, tha Netanyahu duke shtuar se trupat izraelite do të mbeten brenda një “brezi të zgjeruar sigurie” në jug të Libanit.
“Ushtria do të qëndrojë në të gjithë zonën tampon që shtrihet nga deti deri në Fermat Shebaa dhe në afërsi të malit Hermon, deri në kufirin me Sirinë”, shtoi ai.
Netanyahu tha se Izraeli hyn në bisedime me dy kushte, përkatësisht çarmatimin e Hezbollahut dhe një marrëveshje paqeje të qëndrueshme me qeverinë libaneze.
“Ekziston një mundësi për një marrëveshje historike paqeje me Libanin, sepse ne kemi ndryshuar balancën e forcave”, pretendoi ai.
Netanyahu tha se presidenti amerikan Donald Trump i kishte thënë se mbetet i vendosur për të shkatërruar atë që ai e përshkroi si kapacitetet e mbetura të Iranit, duke argumentuar se kjo do të rrisë gjasat për arritjen e një marrëveshjeje.
Mbrëmë, Trumpi njoftoi armëpushim 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit që fillon në mesnatë me kohën lokale në Bejrut dhe Tel Aviv.
“Sapo pata biseda të shkëlqyera me presidentin shumë të respektuar Joseph Aoun të Libanit dhe kryeministrin Bibi Netanyahu të Izraelit”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
“Këta dy liderë kanë rënë dakord që për të arritur paqe mes vendeve të tyre do të fillojnë zyrtarisht një armëpushim 10-ditor në orën 17:00EST”, shtoi ai.
Njoftimi vjen pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja mes delegacioneve libaneze dhe izraelite që u zhvilluan të martën në Departamentin e Shtetit në Washington. Grupi Hezbollah nuk ishte i përfaqësuar në këtë takim.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka nisur ofensivë ndaj Libanit që ka vrarë 2.196 persona dhe ka plagosur 7.185 të tjerë. Sulmi ka zhvendosur gjithashtu më shumë se 1 milion njerëz.


