New York, protestë në mbështetje të Palestinës përpara konsullatës izraelite

"Ne duam që Amerika të heqë dorë nga financimi i gjenocidit të kryer kundër nesh palestinezëve. Kjo sipas ligjit ndërkombëtar është ilegale", tha aktivistja palestineze, Lamis Deek

Qindra mbështetës të Palestinës u mblodhën përpara konsullatës izraelite në New York të SHBA-së dhe reaguan kundër sulmeve të ushtrisë izraelite në Gaza dhe në Kudsin Lindor nën pushtim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit e mbledhur përpara ndërtesës së konsullatës në bulevardin “Manhattan 2”, bënë thirrje për Palestinë të Lirë dhe mbajtën pankarta për përfundimin e sulmeve izraelite që vazhdojnë në Gaza dhe Kudsin Lindor nën pushtim. Ndërsa policia e New Yorkut (NYPD) mori masa të gjera përreth konsullatës izraelite.

Lamis Deek, një aktiviste e cila ka folur në emër të protestuesve tha: “Ne duam që Amerika të heqë dorë nga financimi i gjenocidit të kryer kundër nesh palestinezëve. Kjo sipas ligjit ndërkombëtar është ilegale. Ushtarët izraelitë mund të vazhdojnë ndërhyrjen e tyre madje edhe gjatë hetimit për krime lufte të kryer nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Po e injoron komunitetin ndërkombëtar”.

Në SHBA përveç New Yorkut, protesta me pjesëmarrje të gjerë janë zhvilluar edhe përpara konsullatave izraelite në Atlanta, Houston dhe Los Angeles. Gjithashtu protesta në mbështetje të Palestinës janë organizuar edhe në shumë qytete të tjera kryesisht në Dearborn, Dallas, Baltimore.

Hebrenjtë amerikanë fushatë për ndërprerjen e ndihmave ndaj Izraelit

Në mesin e organizatave që kanë filluar fushatë nënshkrimesh me thirrjen për përfundimin e pushtimit izraelit në territoret palestineze dhe ndërprerjen e ndihmave nga SHBA-ja ndaj Izraelit, është edhe organizata e shoqërisë civile “If Not Now” e përbërë nga hebrenjtë amerikanë.

Organizata në faqet e internetit ka postuar moton e saj: “Ne po ndërtojmë një lëvizje hebreje për t‘i dhënë fund pushtimit izraelit dhe për të transformuar komunitetin hebre amerikan”.

Për fushatën e nënshkrimeve që ka filluar organizata ka bërë thirrjen:

“Qeveria izraelite e cila financohet me miliarda dollarë me fondet ushtarake të SHBA-së, arreston fëmijët palestinezë, grabit territoret palestineze dhe shemb shtëpitë e palestinezëve. Shkruani një letër sot anëtarëve tuaj të Kongresit dhe u bëni thirrje atyre për nënshkrimin e ‘ligjit për fëmijët dhe familjet palestineze’ që paratë e taksave tuaja të mos përdoren në shkeljet e të drejtave të njeriut që Izraeli kryen”.