Nga 1 tetori, arsimi i lartë publik në Kosovë bëhet pa pagesë

…shkollimi pa pagesë do të vlejë për të gjithë ata që duan të studiojnë në nivelet bachelor dhe master. Semestri për nivelin master ka kushtuar 150 euro, ndërsa për doktoraturë 500 euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë sot të ditur se nga 1 tetori, duke filluar nga viti akademik 2021/22 arsimi publik në nivelin Bachellor dhe Master do të jetë pa pagesë, ndërsa në studimet e Doktoraturës do të ketë lehtësime.

Kurti këtë deklaratë e bëri në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Nga 1 tetori i këtij viti, duke filluar nga viti akademik 2021/22 arsimi i lartë publik do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelin Bachelor dhe Master. Ndërsa, për studentët e doktoraturës do të ketë lehtësime të veçanta. Sistemi arsimor publik duhet të mbështetet në parimin e solidaritet shoqëror. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë qasje të barabartë në arsim cilësor”, tha ai.

Ai tha se ministrja Nagavci ka nënshkruar Udhëzimin administrativ me të cilën arsimi i lartë do të bëhet njësoj i qasshëm për të gjithë.

“Ne besojmë se me këtë formë nxisim interesimin për studimet e larta duke përmirësuar kësisoj nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë”, tha ai më tej.

Kurse, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci për lirimin nga pagesa për vijimin e mësimit në arsimin e lartë, tha se kjo do të krijojë lehtësira për universitetet.

Ajo tha se po shmangin diskriminimin e pabarazinë sociale, duke sqaruar se për këtë vit nga buxheti do të ndahen 1.7 milionë euro për universitetet.

“Studimet pa pagesë për arsimin e lartë ka qenë një nga zotimet tona, me këtë zotim ata lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit dhe po shmangim diskriminimin për shkak të pa barazisë sociale. Në hyrje në fuqi shfuqizohet udhëzimi administrativ i mëparshëm. Në lidhje ne shumën e bursave do të vlejnë të njëjta vlera dhe ne kemi hapur thirrje edhe për 1 000 bursa për vajzat, dhe përtej kësaj kemi ofruar mbështetje për studentët e cila do të vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm”.

Në universitetet publike në Kosovë, studentët e nivelit “bachelor” kanë paguar deri më tash 25 euro për semestër, përveç vitit të parë të studimeve që ka qenë falas.

Semestri për nivelin “master” ka kushtuar 150 euro, ndërsa për doktoraturë 500 euro.