Një delegacion i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë vizitë në Shqipëri

Një delegacion i Kuvendit të Kosovës i përbërë nga anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka realizuar një vizitë në Shqipëri, duke u takuar me drejtues dhe përfaqësues të organeve të Kuvendit të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA)

Delegacioni nga Kosova është takuar me përfaqësuesit e Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, ku në fokus të diskutimeve të tyre ishin çështjet e bashkëpunimit mes dy komisioneve, çështjet e sigurisë dhe të tjera.

Gjatë fjalës së tij në takim, kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, Nasip Naço, theksoi se çështjet e sigurisë kërkojnë bashkëpunim dhe bashkëveprim të mëtejshëm, sipas tij “sepse sfidat që duhet të punojmë së bashku janë të mëdha”.

Naço theksoi siguria kibernetike është e rëndësishme për shkak të kushteve që po kalojnë vendet.

“Të gjithë jemi në dijeni të sulmeve kibernetike në rajonin tonë, preh e të cilave ka rënë dhe Shqipëria. Këtu duhet të jemi akoma edhe më të fokusuar dhe më vigjilentë për të rritur bashkëpunimin e ndërsjellë midis dy parlamenteve dhe dy komisioneve parlamentare, për të shkëmbyer eksperienca dhe informacione me qëllim përballimin e sfidave të përbashkëta veçanërisht në fushën e sigurisë”, është shprehur Naço.

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, gjatë fjalës së saj tha se bashkëpunimi ynë në të gjitha fushat ka qenë shumë korrekt , shumë konstruktiv dhe ashtu siç duhet të jetë.

“Të gjithë bashkë njëzëri jemi dakord që bashkëpunimi ynë në fushën e sigurisë dhe të inteligjencës duhet të thellohet edhe më tutje. Kur kemi të bëjmë me punën e sigurisë së vendit dhe shërbimit inteligjent tek ne nuk ka ndasi pozitë-opozitë, sepse siguria e vendit i takon sa opozitës aq edhe opozitës”, është shprehur Musliu.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të realizojë takime edhe me përfaqësues të institucioneve të tjera të Shqipërisë.