Një vajzë e zhdukur në SHBA u gjet përmes sinjalit të përhapur në TikTok

Një adoleshente që u raportua e zhdukur në SHBA, u gjet pasi përdori shenjën jo verbale që është bërë virale në Tik Tok, që tregon se dikush është në rrezik.

16-vjeçarja ishte raportuar e zhdukur nga prindërit e saj në Karolinën e Veriut të martën në mëngjes. Ajo u pa brenda një makine në Kentaki, dy ditë më vonë, raporton BBC.

16-vjeçarja përdori gjestin e krijuar për të ndihmuar viktimat që bien pre e abuzimit në familje. Ajo ia drejtoi gjestin një shoferi që po kalonte, i cili e kuptoi sinjalin. Autoritetet thanë se arrestuan një burrë 61-vjeçar.

Një shofer lajmëroi policinë pasi vuri re “një pasagjere adoleshente në automjetin përbri, duke bërë gjeste me dorë që njihen në platformën e rrjeteve sociale, TikTok për të treguar dhunën në shtëpi, nevojën për ndihmë, dhunën në familje”, tha në një deklaratë Zyra e Policisë të Qarkut Laurel.

Shoferi i tha policisë se vajza dukej sikur ishte në ankth dhe automjeti në të cilën gjendej, drejtohej nga një shofer i moshuar.

Vajza, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, u tha oficerëve se kishte udhëtuar nëp Karolinën e Veriut, në Tenesi, Kentaki dhe Ohajo.

Policia më vonë arrestoi James Herbert Brick, 61 vjeç, nga Karolina e Veriut. Ai u kap në makinë së bashku me vajzën, ndërsa po ngiste makinën pranë një rajoni të Kentakit, të enjten pasdite.

Gjesti i të kërkuarit ndihmë është një shenjë me anë të njërës dorë që dikush mund ta përdorë kur është në ankth, frikë, në një situatë nga ku nuk mund t’ia mbathë, sipas Fondacionit Kanadez të Grave.

Viktima mban pëllëmbën e dorës lart, të drejtuar nga personi prej të cilit po kërkon ndihmë, më pas përthyen gishtin e madh, e në fund mbështjell gishtin e madh me gishtat e tjerë të dorës.

Fushata, e quajtur “sinjali për ndihmë”, u përhap në mediat sociale në vitin 2020 gjatë kufizimeve fillestare të pandemisë, në një përpjekje për të adresuar rritjen e dhunës në familje. Ideja lindi për t’u ardhur në ndihmë viktimave të abuzimit në familje, që gjatë pandemisë nuk kishin mundësi të largoheshin, apo ta denonconin dhunën me anë të fjalës.

Videot që demonstrojnë mënyrën e përdorimit të këtij sinjali morën vrull edhe në Mbretërinë e Bashkuar, si pasojë e vrasjes së Sarah Everard, e cila shkaktoi një debat të fortë mbi sigurinë e grave.