Njohje & Mirënjohje

Nga Evans Drishti

Një heshtje… Një delikatesë … Një druajtje … Një hezitim… Një pasiguri … I tillë vinte në fillimet e veta në folezën e tij të dijes, me një çantë të thjeshtë në dorë, herë – herë duke e vënë edhe krahëve, ecte i emocionuar drejt ambienteve të brëndshme të shkollës, ku sapo të hynte do të merrte në të djathtë, për të vijuar hapat e tij të sigurtë në korridorin e gjerë, nga ku sërish do merrte djathtas për t’u përqafuar me ambientin e shumëdëshiruar për të, aty ku vlonte shpresa e një të ardhmeje të magjishme. Zinte vend menjëherë në bankën e tij të preferuar, sërish djathtas e në vendin e parë, pasi i dukej se do i sillte një mbarësi duke qenë se synimi i tij që në vogëli ishte përherë të qenurit “I pari”…

E kështu do ndodhte…

Ta kishte ënda ta shihje aq të rregullt dhe sistematik, aq të përkushtuar dhe vullnetplotë, aq të heshtur në një anë, por edhe të gjallë në shpirt, aq të hezitueshëm në pikënisje, por edhe kërkues dhe ambicioz, megjithëse kjo ambicie dukej se kish lëshuar rrënjë të forta që herët. S’ishte e nevojshme t’i tërhiqje vëmëndje për diçka, pasi mprehtësia dhe dëshira e zjarrtë që e pushtonin me mëndje e me shpirt s’linin shteg për një të tillë gjë. Ishte mëse i qartë në sjellje dhe veprime, pasi ishte tejet i përpiktë në përgatitje. Sistemimi i mjeteve shkollore s’ishte diçka që i përkiste thjesht një dite të veçantë, për rrjedhojë i ishte kthyer në një edukatë dhe një shije estetike që i vinin në ndihmesë të mos vonohej në të tjera veprime të rëndësishme, Shumë i sigurtë dhe i kthjelluar shfaqej në atë çfarë mësonte, pasi s’ishte vetëm një dëgjues i mirë i “shpjegimit”, por edhe një përvijues i denjë i asaj “nxënieje”, që natyrshëm s’e linte aspak të qetë, sepse “ambicja” e lartpërmendur vijonte vrullshëm presionin e saj, gjithnjë në kërkim të “së resë” dhe të një “zgjerimi horizonti” aq të domosdoshëm për kohën dhe më tej.

Dëshira dhe pasioni për leximin, e për rrjedhojë edhe për një formim akoma më të qëndrueshëm e shtyu edhe në biseda përtej orëve mësimore, të cilat nisën të shpeshtoheshin, të shoqëruara padyshim nga një mirësjellje dhe korrektësi në një raport mjaft komod mësues – nxënës. Do ishte gjithnjë i pari në pjesëmarrje të ndryshme në programe shkollore apo jashtëshkollore si dhe në projekte kurrikulare. Me plot zell dhe optimizëm i rrokte materialet artistike, historike dhe kulturore për të shfaqur një performancë sa më dinjitoze përpara shokëve dhe stafit që e dëgjonin vëmëndshëm. Puna për një performancë sa më të arrirë s’njihte orare, pasi edhe angazhimet sa vinin e shtoheshin akoma më shumë. Punonim pa reshtur për të guxuar në diçka “më ndryshe” në mënyrë që mesazhet përcjellëse të jehonin kudo.

Ditët kalonin nxitimthi, po kështu edhe javët e muajt. Përtej arritjeve mësimore që s’ndryshonin asnjëherë pozicionimin e tyre në notën maksimale, rritej edhe pritshmëria ndaj tij për të tjera performanca të suksesshme që do ta forconin dhe do i hapnin rrugë horizonteve të reja plot shpresë ndaj së ardhmes. Të qenurit “sistematik” e kishte ndihmuar tashmë të mos haste vështirësi në përgatitjen e tij. Ishte mëse i bindur se kërkesa e llogarisë ndaj vetes sa vinte e bëhej edhe më e madhe, tashmë edhe në vitet e gjimnazit, ku sërish synimi i tij mbetej tepër i lartë, ku arritja e tij maksimale s’ndryshonte, ku tashmë objektivat sterilizoheshin dhe mëndja kthjellohej në përcaktimin e një drejtimi të sigurtë, në një profilizim të domosdoshëm për një mbarëvatje të sukesshme të jetës.

Sërish plot gjallëri në proçesin mësimor, plot gjallëri edhe në zhvillimin intelektual në realizimin e projekteve të larmishme. Tashmë pa asnjë lloj hezitimi, pa asnjë lloj ndrojtjeje si dhe pa asnjë lloj mburrjeje çante udhën duke sfiduar të gjithë ata që kish përreth. i impresionuar pas lëndëve ekzakte, duke mos lënë mënjanë as shkencat sociale si dhe artin e një artikulimi sa më tërheqës dhe tingëllues, shkencat e inxhinierisë do bëheshin rrugëtimi i tij sa i lodhshëm, po aq edhe shpresdhënës dhe aspirues, pasi energjia për krijimin e një boshti të pathyeshëm s’do i mungonte asnjëherë.

Bisedat dhe bashkëbisedimet tona tashmë kishin marrë një tjetër përmasë, si përherë i çiltër dhe i matur s’reshte së kërkuari një vizion të ri dhe largpamës, pasi kishte krijuar tanimë një vetbesim se një tjetër botë e magjishme ekzistonte përtej vizualitetit të tij. S’reshtnim së biseduari për libra të ndryshëm, klasikë shqiptarë apo edhe botërorë, ndodhi të spikatura dhe personazhe qofshin ato fantastikë apo edhe realë. Bisedat shtriheshin më pas edhe në “analiza” të aktualiteteve duke sjellur pikëvështrime të ndryshme, jo thjesht për të kaluar “kohën e palodhur”, por për t’i dhënë përditshmërisë një dimension të ri, sikurse kish mësuar edhe një frazë profetike sipas së cilës “S’është prej nesh kush i ka dy ditë të njëllojta”, duke u bërë kështu një rregullator i mirëfilltë dhe duke çelur çdo ditë dritare të reja për ta parë më bukur njeriun e kohës, ambientin, bukurinë natyrore, në një mundim për të gjetur misterin që fshihej përreth.

Koha kalonte sërish, e ku tashmë kishte ardhur momenti t’i jepte fund viteve të larmishme të gjimnazit, kuptohet me rezultate të shkëlqyera, e të vijonte rrugëtimin e tij përtej kufijve, në shtigjet e shumta të jetës universitare të inxhinierisë, nga ku do çelej një fletë e re jete.

Edhe këtë herë ndjeu një lloj ndrojtjeje të pakuptimtë, sikur do humbiste diku atje larg, thuajse do shkëputej nga gjithçka që kishte ndërtuar me aq zell, por jo! Bashkëbisedimet dhe bisedat tona nuk u ndalën për asnjë çast. Kënaqësia për të komunikuar me të tillë intelektualë s’mund të shuhej lehtë, pasi çiltërsia dhe dashamirësia, modestia dhe intelekti kishin kohë që kishin lëshuar rrënjë në mëndjet dhe shpirtrat tanë. Çdo bashkëbisedim kishte në fokus qëllimin dhe obektivin për të mësuar apo kuptuar diçka më shumë nga ajo që ofrohej. Flisnim kështu për jetën universitare tashmë, për të rejat që kishte sjellë në formimin e tij, për ambientet e reja, miqësitë e reja, edukatorët e rinj, që tashmë ishin akademikë, flisnim për vizionet e reja që po ndërtonte, për aspiratat e reja, për angazhimet e reja, tashmë çdo gjë e re … e re… E teksa flisnin për këtë rrugëtim “të ri”, sërish kthenim kohën pas duke risjellur në kujtesë atë plejadë të rëndësishme që kishte ndikuar në formimin e tij, për atë kohë të magjishme që kishte kaluar, për impenjimet që kishte pasur për vite me radhë, për angazhimet pafund si brënda institucionit të shkollës ashtu edhe ato jashtëshkollore, për efektet që kishin sjellur të gjitha këto rezultate, për ato netë pa gjumë që kishte kaluar për të arritur të pandryshueshme “mesataren simbolike” që do ta përcillte vazhdimisht, për miqësitë që kishte ndërtuar, por edhe për armiqësitë me të cilat kishte qenë i detyruar të përballej, për gatimet e veçanta të gjirit të familjes, por edhe për ato ditë ku kishte ngelur i detyruar të mbetej edhe pa ngrënë, për dëshirën e zjarrtë për të stiduar shkencat ekzakte, por edhe mundimin në realizimin e ca impenjime shumë herë “të padëshirueshme”. Flisnim për ëndrrat fëmijërore të një të riu, për pasionet e kushtëzuara për kohën dhe për kënaqësitë e pafundme të realizmit të ndonjërit prej tyre…

Më e madhja kënaqësi do ishte për të, vajtja e “njeriut të tij të besueshëm” në ambientet universitare, ku tashmë do plotësonte profesionalizmin e vet. Padyshim, e ndjente veten krejtësisht ndryshe, shumë më të rritur, më të matur, më të formuar, më të guximshëm… Atmosfera përreth e përpinte në qenien e saj, pasi profesionalizmi s’kishte kohë për të humbur. Leximet e mëparshme kishin ndikuar së tepërmi pozitivisht, jo vetëm për të kuptuar ndodhi të ndryshme, pikëpamje të larmishme, teori të qëndrueshme, por edhe për të mos u trembur ndaj librave voluminozë që ofronte përzgjedhje e tij profesionale, ajo e inxhinierisë. Orët dhe netët pa gjumë që kish kaluar më parë e kishin ndihmuar tashmë të forcohej edhe më shumë fizikisht dhe shpirtërisht dhe të bindej se “pagjumësia” do të vlente për të realizuar “intelektualin” e kohës. Gjuhët e huaja që kishtë përqafuar prej kohësh e bënin atë më vizionar dhe deshifrues të mistereve të ndryshme shkencore dhe aktuale, pasi mundësia “për hulumtim” ishte një armatë e fortë për të kapërcyer dimensionet.

Lëndët sa vinin e vështirësoheshin, por vullneti dhe pasioni për drejtimin që kishte marrë ishin përherë triumfues. Nisën të shpeshtoheshin komunikimet me pedagogë dhe akademikë, njerëz të dijes dhe kulturës, nisën të thelloheshin të tjera miqësi brënda jetës universitare apo edhe në ambiente të ndryshme, një domosdoshmëri kjo për një formim sa më të specializuar gjithnjë në ruajtje dhe zhvillim të identitetit. E ndërkohë bashkëbisedimet tona vijonin pa reshtur, si një lloj konsulte në kuptim dhe njohje të përditshmërisë dhe realitetit. Çdo arritje e tij përcillej në bashkëbisedimet tona si në gjetje të një guximi dhe kurajoje që do i jepte një forcë më shumë për të kuptuar se zotëronte “aftësi të pashtershme” si një dhunti e Zotit. E kishte kuptuar tashmë, edhe nga thelbi i çdo bisede që zhvillonim, se çdo dhunti e dhënë duhej shfrytëzuar deri në fund, se pas çdo vështirësie vinte lehtësimi, se pas çdo pagjumësie vinte një arritje shpresdhënëse, që do e lartësonte në hapat e jetës, se pas çdo leximi mëndja urtësohej duke nxjerrë në dukje mendime dhe ide që pasqyronin dhe reflektonin në auditore të ndryshme njeriun vizionar, studentin largpamës, ambicioz, studentin që përkushtimin e tij s’e kishte thjesht për “një notë”, por për formimin e mirëfilltë në fushën që kishte zgjedhur, se pas çdo eksperimentimi laboratorik vinte një ringjallje shpirtërore ku skaliteshin në mëndje teoritë jetësore…

Është e gjatë udha e dijes, udha për të skalitur identitetin…

Është jetike një njohje e denjë, një njohje që sjell më pas mirënjohje të pafundme…

Mirënjohje për ty!…