Nuk ka kushte për të vënë kushte

Nga Redi Shehu

Ashtu siç edhe në fakt pritej, të dy grupimet e Partisë Demokratike, nuk arritën të gjenin një konsensus lidhur me ndonjë bashkëpunim të mundshëm. Sipas asaj që doli nga takimi i fundit, dukej se palët i ishin kthyer qëndrimeve të vjetra, dhe nuk kishin arritur të dilnin përtej ndasive dhe dallimeve. Grupi i z.Alibaj kishe hartuar një propozim me gjashtë pika në të cilin dukej qartë kujdesi për të konfirmuar këtë grupim parlamentar si një forcë me konture të qarta politike të PD-së zyrtare në raport me grupin tjetër të z. Berisha. Kjo, ka irrituar grupimin e foltores i cili i ka bërë thirrje palës tjetër që të njohin kuvendin e 11 Dhjetorit të Partisë Demokratike. Pra, më keq se kaq nuk ishim as pas 8 Janarit, ku palët ishin të gatshëm të shqyenin njëri-tjetrin. Kërcënimi i z. Berisha se grupimi tjetër do ta shohë në vazhdim, të lë shijen e një përplasjeje tipike tranzicioni, ku asgjë e re nuk duket në horizont.

Shqetësimi i të gjithë demokratëve se përçarja e Partisë Demokratike e dënon me humbje këtë të fundit në zgjedhjet lokale, është tërësisht shqetësimi drejtë, ngase me një matematikë të thjeshtë, PD në 25 Prill së bashku me LSI nuk arritën të mundnin socialistët e Ramës, imagjino të përçarë se çfarë mund të ndodhë. Një pamje të vogël, por domethënëse, e dhanë zgjedhjet e pjesëshme lokale të 6 Marsit, ku PD-ja zyrtare u reduktua në parti e tretë. I njëjti skenar i 6 Marsit mund të ndodhë nëse ne kemi të njëjtin konfiguracion  me këtë aktualin në datën e zgjedhjeve të 14 Majit. Ndaj, edhe shqetësimi i z. Berisha në parim duket legjitim, por në detaje është i shtirë, për shkak se ai e dinte shumë mirë që nga fillimi i bisedimeve, se nëse do të arrish një marrëveshje, kjo do të thotë që palët duhet të lëshojnë diçka nga qëndrimet e veta në emër të konsensusit dhe bashkëpunimit.

 Në fakt, siç edhe e kemi përmendur, një bashkim, jo që jo, por as edhe një bashkëpunim i pjesshëm për këto zgjedhje nuk do të ishte i mundur nëse pala e cila gëzon maxhorancën brënda PD-së, këmbëngul me forcë që të gllabërojë politikisht minorancën e saj. Vënia e primareve si kusht i panegociueshëm, ishte një soj postblloku që nuk lejonte asnjë mundësi bashkëpunimi. Hileja e gjithë kësaj historie qëndron në faktin se cilës pale duhet t’ia hedhim fajin për humbjen e mundshme nesër. Nëse grupimi i deputetëve të z. Alibeaj, morën iniciativën që të kërkonin takime për të hapur negociatat për një bashkëpunim të mundshëm, ky ishte një hap i mirë nga i cili mund të fillonte edhe qepja e Partisë Demokratike pas shqyerjes se saj në dhjetorin e vitit të kaluar. Por, nuk ndodhi ajo që mund të pritej, kësaj inciative menjëhere z.Berisha tha se nuk do të ketë kushte, por ama primaret janë të panegociueshme, janë luftë për ekzistencë thoshtë ai. Pra, i bie që  nuk ka kushte për të vënë kushte. 

Primaret u vendsën si “fakt i kryer”, pikërisht për ta bërë të pamundur bashkëpunimin dhe me vonë edhe bashkimin e PD-së. Pyetja që del është përse atëhere grupimi i z. Berisha vendos një kusht edhe pse thotë se nuk ka kushte? A është i interesuar ai që PD të fitojë e bashkuar në zgjedhje ? Sigurist që po. Sigurisht që z. Berisha do që t’i fitojë këto zgjedhje, aq më tepër duke parë edhe pozicionin e vështirë në të cilin ai ndodhet. Por ama, ai do t’i fitojë zgjedhjet duke bashkuar PD-në nën autoritetin e tij e jo duke bashkëpunuar edhe me një PD tjetër. Për këtë, atëhere duhet eliminiuar grupimi tjetër dhe i gjithë konturi i tyre politik i njohur nga ndërkombëtarët. Prandaj, primaret në këtë rast, nxjerrin jashtë loje dhe vënë në diskutim ekzistencën e grupimit tjetër. Po të bëheshin pjesë e primareve, ose po të pranonin të futeshin si fraksion brënda partisë, ata do të shtypeshin nga pesha dhe arroganca e Berishës.

Fakti që u ndanë, tregon se për z. Berisha nuk ka rëndësi të fitojë zgjedhjet. Më parësore për të është të ketë kontrollin e plotë të Partsë Demokratike. Atëhere, këtu nuk jemi ashtu siç pretendohet të deklarohet, pra nuk jemi në një atmosferë bashkimi, por në një hipokrizi e cila kërkon të kamuflojë ndarjen me gjuhën e bashkimit. Është e thjeshtë por e siguritë se bashkimin  nuk kanë për ta bërë autorët e përçarjes. Përkundrazi, i gjithë konflikti në Partine Demokratike nisi duke marrë përçarjen si gurthemelin e të ardhmes me të cilën foltorja ndërtoi të ardhmen e vet politike. Vetëm përmes përçarjes, ajo do të mund të merrte kontrollin e PD-së. Vetë gjuha linçuese, denigruese, fyese ndaj të gjithë atyre që ishin nga ana e kundërt me Berishën, u pa si çelësi me të cilin anëtarët e foltores do të mund të “dezinfektonin” partinë nga parazitarët dhe armiqtë. Është pikërisht ky mentalitet, i cili buron nga vetëdija komuniste, e që në thelb të tijin ka demonizimin e kundërshtarit i cili ka mendim të ndryshëm nga ti, i cili zuri vend në Partinë Demokratike që në themelimin e saj që e solli PD-në deri në këtë pikë. Sa e sa grupe të shpallura armiqësore jane pastruar nga PD-ja këto tre dekada  nën patronazhin e Berishës. E gjithë kjo frymë, e cila pëmblidhet me “berishizëm” fatkeqësisht vazhdon të jetë prezente në mesin e të djathtëve. Sot, nuk mund të ekzekutohet politikisht tjetri vetëm për faktin se ai ka  një mendim ndryshe nga ti. Prandaj, edhe metoda me të cilin PD-ja e Berishës iu qas bisedimeve ishte e njëjta medotë me të cilin PD-ja ka funksionuar gjithë këtë kohë, ajo e demonizimit të kundërshtarit, ose nënshtrimin e plotë të tij. Prandaj, nuk kishte asnjë arsye që bisedimet te përfundonin me një rezultat pozitiv. Ajo që ngelet të shpresojmë, është që të paktën për një herë të vetme të dalë një grup me një kontur të qartë politik, me iniciativë dhe vendosmëri, i cili të mund t’i japë fund regjimit autokratik të liderëve të vjetër që mbajnë peng këtë vend prej dekadash