Nuk vërtetoi blerjen e apartamentit, shkarkohet nga detyra gjyqtari i Shkodrës Albano Çepele

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi mungesë burimesh për blerjen e një apartamenti, dyshime për veprime korruptive dhe probleme me profesionalizmin. Në seancë u debatua edhe për gjendjen shëndetësore, pasi gjyqtari Çepele vuan nga një sëmundje që i vështirëson aktivitetin fizik.

Ditën e sotme është shkarkuar nga detyra gjyqtari i Shkodrës Albano Çepele.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi mungesë burimesh për blerjen e një apartamenti, dyshime për veprime korruptive dhe probleme me profesionalizmin.

Albano Çepele e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 në Gjykatën e Tropojës dhe ka punuar më së shumti si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Në prill të vitit 2014, Çepele u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas një inspektimi që zbuloi shkelje të ligjit dhe 34 çështje gjyqësore të zvarritura. Çepele u rikthye në detyrë në vitin 2016, pasi një vendim i Gjykatës së Lartë e konsideroi të paligjshëm shkarkimin e tij.

Gjyqtari Albano Çepele shfaqte vështirësi në ecje dhe u paraqit në seancë së bashku me një përfaqësues ligjor. Ai bëri me dije se vuante nga skleroza multiple. Çepele pohoi në fillim të seancës se ishte në dijeni të gjetjeve të KPK-së, pasi ishte njohur nëpërmjet pyetësorëve.