Numri i përdoruesve celularë në stanjacion gjatë 2025, One fiton lehtë terren ndaj Vodafone

Numri i përdoruesve të shërbimeve celulare në vend rezultoi në stanjacion vitin e kaluar.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në fund të 2025 numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare ishte 2.48 milionë, me një rënie të lehtë prej 0.3% krahasuar me një vit më parë.

Prej më shumë se një dekade, numri i përdoruesve të shërbimeve celulare po shfaq një tendencë rënëse. Krahasuar me 10 vjet më parë, numri i përdoruesve aktivë (numrave celularë aktivë) ka rënë me afërsisht 30%. Kjo mund të shpjegohet me faktorë të brendshëm të tregut, por ndoshta edhe me faktorë demografikë.

Numri i operatorëve celularë është ulur nga katër në dy, ndërkohë që është gjithnjë e më pak e përhapur që një përdorues të mbajë më shumë se një numër celular. Kjo tendencë ishte mjaft e përhapur afërsisht deri para një dekade, para të ndalohej diferencimi i çmimeve për thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit.

Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar numrin e përdoruesve në vitet e fundit është edhe marrëveshja për heqjen e tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë se një pjesë e mirë e vizitorëve të huaj në Shqipëri vijnë nga vendet fqinje, ata tashmë nuk e kanë më të nevojshme për të përdorur numra shqiptarë për komunikimin e tyre, gjatë kohës që ndodhen në Shqipëri.

Gjithmonë në horizontin afatgjatë, edhe tendencat demografike negative dhe tkurrja e popullsisë mund ta shpjegojnë pjesërisht rënien e numrit të përdoruesve aktivë.

Ndërkohë, shifrat e tremujorit të fundit tregojnë se One Albania ka arritur të fitojë lehtë terren ndaj Vodafone Albania, në ndarjen e tregut sipas përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare.

One Albania kishte rreth 1.25 milionë përdorues aktivë ose 50.3% të tregut (nga 49.4% një vit më parë).

Vodafone Albania në fund të 2025 raportonte rreth 1.26 milionë përdorues aktivë ose 49.7% (nga 50.6% një vit më parë).

Përdorimi i shërbimeve celulare është gjithnjë e më i përqendruar te interneti, ndërkohë që shërbimet e tjera paraqiten në rënie. Për tremujorin e fundit 2025, trafiku total i internetit nga rrjetet celulare u rrit me 22% me bazë vjetore.

Ndërsa konsumi mesatar i internetit për çdo përdorues arriti në 10.98 GB (gigabyte) internet në muaj, në rritje me 22.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Trafiku i thirrjeve dalëse nga rrjetet celulare shënoi një rënie të mëtejshme, me 6.5% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2024, ndërsa numri i mesazheve të shkruara pësoi rënie vjetore me 10.1%.

Çdo abonent e përdori mesatarisht celularin për 136 minuta në muaj, 6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, numri i mesazheve të shkruara ishte 12 për përdorues në muaj, në rënie me 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vitet e fundit, edhe tregu shqiptar kishte reflektuar tendencën e përgjithshme globale të zhvendosjes së komunikimit drejt aplikacioneve OTT (over the top) të lidhura me internetin. Kanalizimi i thirrjeve dhe mesazheve nëpërmjet aplikacioneve, si whatsapp, e ka ulur gradualisht përdorimin e shërbimeve tradicionale të mbështetura mbi rrjetet GSM, si thirrjet zanore apo SMS.