OBSH: Ilaçi kundër COVID-19 mund të mos gjendet kurrë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi të hënën se mund të mos ketë kurrë një vaksinë të përkryer kundër llojit të ri të koronavirusit (COVID-19) dhe se rruga drejt normalizimit do të jetë e gjatë.

Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 18 milionë njerëz në mbarë botën janë infektuar nga koronavirusi i ri dhe rreth 695.000 kanë gjetur vdekjen.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe kreu i Programit të Emergjencave Shëndetësore të kësaj organizate, Mike Ryan, nxitën vendet që të zbatojnë me rigorozitet masat antiCOVID-19, siç janë mbajtja e maskës dhe e distancës sociale, larja e duarve me rregullsi dhe testimi.

“Mesazhi për njerëzit dhe qeveritë është i qartë: «Bëjini të gjitha»”, tha Ghebreyesus në një konferencë virtuale për media nga selia e OBSH-së në Gjenevë, raporton TRT.

Ai vuri në pah se maskat në fytyrë duhet të bëhen një simbol i solidarësisë anembanë globit.

“Një numër vaksinash tani janë në fazën e tretë të studimeve klinike dhe të gjithë shpresojmë të kemi vaksina efektive, të cilat mund të ndihmojnë në parandalimin nga infeksioni. Sidoqoftë, nuk ka asnjë «plumb argjendi» ndaj COVID-19 për momentin dhe mbase mund të mos ketë kurrë”, theksoi Ghebreyesus.

Gjithashtu shefi i OBSH-së bëri një thirrje për nënat.

“Nënat e infektuara me llojin e ri të koronavirusit duhet të ushqejnë me gji foshnjat e tyre, sepse përfitimet e ushqyerjes me gji janë shumë më të rëndësishme sesa rreziku i infeksionit”, u shpreh Ghebreyesus mes të tjerash.