OBSH: Lehtësimi i masave, shkak i rritjes së infektimeve në Europë

Evropa është sërish në epiqendrën e pandemisë, ku Gjermania po regjistron një numër të lartë të të infektuarve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpjegoi arsyet përse po ndodh kjo situatë dhe çfarë e ka sjellë sërish Evropën në këtë pikë kritike.

“Në mënyrë të përmbledhur, tani ka më shumë raste të raportuara, 78 milionë në Rajonin Evropian, sesa në Azinë Juglindore, Mesdheun Lindor, Paqësorin Perëndimor dhe Afrikë .Ne jemi sërish në epiqendër. Pra, pse Evropa dhe Azia Qendrore kanë përjetuar rritje të rasteve për katër javë rresht? Ka dy arsye: së pari, mbulimi i pamjaftueshëm i vaksinimit dhe së dyti, lehtësimi i masave shëndetësore publike dhe sociale”, u shpreh Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së për Evropën.

Në shumë shtete evropiane janë rikthyer disa masa kufizuese sikundër maskat ndërsa në një farë mënyrë po përjashtohen ata që nuk pranojnë të vaksinohen

Disa vende si Kroacia po përpiqen të nxisin vaksinimin për të ndërprerë rritjen e numrit të rasteve.

Të tjera shtete, si Austria, do të zbatojnë më shumë kufizime për qytetarët e pavaksinuar.

Nga restorantet apo sallonet e bukurisë, do të lejohen vetëm personat e vaksinuar apo ata që janë shëruar nga covid.