Oda Ekonomike e Kosovës bën thirrje të votohet ligji për rimëkëmbje ekonomike në Kuvend

“Ligji për rimëkëmbje ekonomike duhet të votohet për të rritur efikasitetin ekonomik në menaxhimin e pandemisë”, ka thënë kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi

Ligji për rimëkëmbjen ekonomike është i domosdoshëm në mënyrë që të rritet efikasiteti për menaxhimin e ekonomisë në kohën e pandemisë më koronavirusin e ri (COVID-19) në Kosovë, sipas Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), raporton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, theksoi se miratimi i këtij ligji pas Qeverisë edhe në Kuvend, është nevojë që do të ndryshojë mirëqenien sociale të qytetarëve.

“Nëse ne dëshirojmë të arrijmë më shpejtë një cikël të ri ekonomik shumë të domosdoshëm që i hapë rrugë rimëkëmbjes ekonomike, është momenti që gjatë muajit shtator, apo gjatë muajit tetor më së largu, pjesa më e madhe e mjeteve të Pakos së Rimëkëmbjes të futet në qarkullim. Pra, është kjo nevoja që të ketë masë monetare në treg në mënyrë që të mund të funksionojnë, ta ruajnë punësimin, t’i ruajnë raportet furnitor-shitës-blerës, raportet me banka e kështu me radhë”, tha Rukiqi.

Rukiqi ka folur edhe për tërheqjen e 10 për qind të parave nga paratë individuale të mbledhura në Trustin Kosovar si pikë e ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Sipas tij, kjo mundësi do të ishte e mirë për qytetarët dhe do të përbënte sadopak ndihmë për ekonominë e tyre.Oda Ekonomike e Kosovës bën thirrje të votohet ligji për rimëkëmbje ekonomike në Kuvend

Por, pika më e rëndësishme sipas tij në këtë projektligj i cili dështoi të votohet të premten e 14 gushtit në Kuvendin e Kosovës për shkak të votave të pamjaftueshme: është lehtësimi qasjes në kredi për ndërmarrjet private për të financuar projektet në investime dhe vazhdimin e operimit. Kjo ngase sipas tij shumica e kompanive i kanë ndërprerë investimet.

Në këtë pikë, nga Qeveria parashihet “Lehtësimi i qasjes në kredi për ndërmarrjet private, për të financuar projekte investive dhe vazhdimin e operimit, në vlerë prej 100 milionë euro”.

“Nuk është se futën vetëm 100 milionë por edhe mund të krijohen efekte financiare në vlerë prej 300 milionëve (me garancione në sistemin bankar). Kjo është shumë me rëndësi për shkak se e kemi këtë hendekun dhe mungesën që është krijuar edhe gjatë muajve të masave kufizuese edhe gjatë muajve të verës kur kemi pasur një ulje të aktivitetit ekonomik në përgjithësi, edhe si pasojë e kufizimeve edhe si pasojë e frikës nga infeksioni edhe si pasojë e mosardhjes së diasporës”, tha Rukqi.

Rukiqi ka thënë gjithashtu se Qeveria duhet të shtojë disa masa që lidhen me efiçencen e energjisë, që sipas tij, përveç rimëkëmbjes ekonomike do të ishte hap i mirë edhe për transformim të ekonomisë. Sipas tij, Qeveria duhet të investojë edhe në aspektin arsimor, duke shtuar drejtime të reja që dalin si nevojë pas pandemisë.

Të premten në ditën e fundit të sesionit veror të Kuvendit të Kosovës, dështoi dy herë të votohet Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike për të cilën nevojiteshin 61 vota. Herën e parë ajo mori vetëm 43 vota, ndërsa të dytën 45.