OKB: Fatkeqësitë e motit vranë 2 milionë njerëz në 50 vite

Në 50 vjetët e fundit më shumë se 2 milionë njerëz kanë vdekur për shkak të fatkeqësive të nxitura nga ndryshimet klimatike, siç janë përmbytjet dhe vala e nxehtësisë, tha të mërkurën (1 shtator) një agjenci e OKB-së.

Më shumë se 91% e viktimave kanë ndodhur në vendet në zhvillim.

Numri i fatkeqësive është rritur për pesë herë gjatë një gjysmë shekulli duke i kushtuar botës humbje në vlerë 3.64 trilionë dollarë.

Organizata Botërore e Meteorologjisë (WMO) tha se në raportin e saj është bërë përmbledhja më gjithëpërfshirëse e vdekshmërisë dhe humbjeve ekonomike nga moti, uji dhe fatkeqësitë për shkak të ndryshimeve klimatike.

Hulumtuesit kanë studiuar rreth 11,000 fatkeqësi që ndodhën midis viteve 1979-2019, përfshirë katastrofat kryesore si thatësira e Etiopisë më 1983, nga e cila u shkaktuan 300,000 vdekje, dhe Uragani Katrina më 2005 në SHBA që ishte më i kushtueshmi, me humbje prej 163.61 miliardë dollarë.

Raporti tregon se ngjarjet ekstreme të motit po bëhen më të shpeshta për shkak të ngrohjes globale.

“Humbjet ekonomike po rriten”, tha Sekretari i Përgjithshëm i WMO, Petteri Taalas.

Sipas tij, “përmirësimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm ka çuar në një ulje të konsiderueshme të vdekshmërisë”.

Organizata tha se raporti i saj, në të cilin përfshihen raporte të detajuara rajonale, do të përdoret për të ndihmuar qeveritë të zhvillojnë politika për të mbrojtur më mirë njerëzit.