Operacioni “Kthetra”, ushtria turke neutralizon edhe 4 terroristë në veri të Irakut

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se numri i përgjithshëm i terroristëve të neutralizuar ka arritur në 19 pasi së fundmi janë neutraizuar 4 anëtarë të organizatës terroriste PKK

Gjithsej 19 terroristë janë neutralizuar deri më tani gjatë ofensivës antiterroriste “Kthetra” që Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) e filluan të hënën në rajonin Hakurk veri të Irakut.

Ministria turke e Mbrojtjes nëpërmjet llogarisë së saj në rrjetin social Twitter njoftoi se ushtria turke ka neutralizuar edhe katër terroristë të tjerë të PKK-së dhe se numri i përgjithshëm i terroristëve të neutralizuar që nga fillimi i operacionit më 27 maj ka arritur në 19.

Ministria ka ndarë edhe pamje nga momentet kur helikopterët sulmues “Atak”, të cilët ofrojnë një mbështetje të rëndësishme në operacionin “Kthetra”, shkatërrojnë pozicionet e kundërajrorëve që u përkasin terroristëve, transmeton Anadolu Agency (AA)

Ndryshe, operacioni antiterrorist në veri të Irakut zhvillohet me pjesëmarrjen e njësive artilerike, avionëve të Forcave Ajrore dhe komandove, me mbështetje edhe të helikopterëve “Atak”.

Në fushatën e saj më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.