Operatorët celularë në Shqipëri rrisin çmimin e paketave

Tre operatorët celularë do të rrisin çmimet e paketave me parapagesë duke filluar nga muaji Shkurt.

Vodafone Albania dhe ALBtelecom në faqen e tyre zyrtare kanë publikuar njoftimet të cilat thonë se paketat 30-ditore me parapagesë do të pësojnë ndryshime.

Ndryshimet e reja për pajtimtarët e Vodafone Albania do të hyjnë në fuqi nga data 11 Shkurt ndërsa për ALBtelecom nga 30 Janari. Operatori tjetër, i dyti më i madh në treg, ende nuk ka lëshuar një njoftim zyrtar rreth ndryshimeve të paketave por me shumë gjasa do të ndjekë udhën e të operatorëve të tjerë.

Si do të ndryshojnë paketat?

Vodafone Albania ofron aktualisht në treg pesë paketa standarde me minuta, SMS dhe MB: Vodafone Talk, Vodafone Combo, Vodafone Z, Vodafone Silver dhe Vodafone Gold. Gjithashtu ofron edhe tre paketa të tjera me njësi të cilat shërbejnë si min, SMS dhe MB: YouMix S, YouMix M dhe YouMix L.

Secila prej paketave do të pësojë një rritje çmimi prej 200 lekësh por ndryshime do të ketë edhe në njësitë e përftuara. Paketa bazë mbetet e pandryshuar ndërsa Combo, Z, Silver dhe Gold do të pësojnë rritje të njësive MB me 0.5 për paketën Combo dhe 1GB për katër paketat e tjera. Paketat me njësi mbetet të pandryshuara.

ALBtelecom gjithashtu ka rritur çmimin e paketave ekzistuese me 200 lekë. Tani e tutje operatori ofron paketat 900, 1300, 1500, 1500 Gigastike dhe 2100 lekë.

Në paketën 900 sasia e minutave, MB dhe SMS mbetet e pandryshuar. Paketa 1100 e bërë 1300 përmban 500MB më shumë internet, Paketa 1500 1GB më tepër, Paketa Gigastike 1GB më tepër dhe Paketa 2100 1GB më tepër.

LEXO EDHE:  Biznesmeni Bullgar që bleu Telekom Albania shet kompaninë e tij Vivacom

Gjithashtu të dy operatorët bënë të ditur se vlera minimale e rimbushjeve pas afateve të lartpërmendura do të jenë 200 lekë.

Tregu i telefonisë celulare

Tre operatorët celularë në Shqipëri kanë shënuar rënie të ndjeshme të ardhurash dhe fitimesh në vitet e fundit ndërsa pajtimtarët po përdorin internetin në masë për të komunikuar përmes aplikacioneve si Facebook, WhatsApp dhe Instagram.

Vitin e kaluar Vodafone Albania ishte i vetmi operator celular me fitim prej 700 milionë lekësh edhe pse shumë larg fitimeve në viteve të kaluara. Telekom Albania dhe ALBtelecom vijojnë me humbje.

Gjatë 2018-ës të ardhurat ishin në 26.8 miliardë lekë, 10% më pak sesa në 2017. Vitin e kaluar Vodafone Albania dhe Telekom Albania blenë frekuencat 800Mhz të cilat do të rrisin mbulimin dhe cilësinë e 4G sidomos në zonat rurale, tender i cili i kushtoi secilës kompani 7.44 milionë euro.

Sakaq ALBtelecom rinovoi për 15 vjet licencën 900/1800Mhz duke paguar 10.9 milionë euro. Vodafone është operatori më i madh në vend me 1.264 milionë pajtimtarë aktivë ndjekur nga Telekom Albania me 996 mijë dhe ALBtelecom me 446 mijë. /PCWorld Albanian