Ora 04:00 dhe sekuenca e vetëdijes

Gjithçka po shkonte tepër këndshëm dhe mbreslënëse, aq sa në të shumtën e rasteve edhe mendja e kishte shumë të vështirë të pajtohej me shpirtin në pranimin e një kënaqësie.

Mbrëmja afroi shumë shpejt, madje si pa u kuptuar fare, ndërkohë aty – këtu grumbullime të vogla e të gjëra teksa ndanin emocione të ndryshme të një shikimi dhe vështrimi sa magjik aq edhe misterioz.

Mesnata erdhi dhe qerpikët tashmë kishin nisur të gjenin prehje që sytë e përgjumur dhe të rraskapitur të fitonin qetësinë e shumëdëshiruar.

Kudo ra një qetësi dhe një heshtje sikur donte të zgjaste deri në pafundësi, por ja që s’gjati shumë…

Çudi…

U zgjua i trembur nga një zhurmë që natyrshëm në përgjumjen e parë s’arrinte ta kuptonte apo t’i jepte një domethënie. Me duart e tij të ngrohta bëri një përpjekje për të fërkuar sytë me idenë dhe qëllimin e mirë që të qartësonte dhe të kthjellonte mendjen se nga vinte ky alarm dhe ajo sirenë, e cila sa vinte dhe bëhej akoma më e bezdisshme dhe më tronditëse.

S’pyeti fare për rraskapitjet e trupit dhe topitjen e shpirtit, u ngrit menjëherë dhe bëri një rrotullim të shpejtë nëpër dhomë në përpjekje për të gjetur atë burim të llahtarueshëm që sa vinte dhe e bënte edhe më të deboluar fund e krye. Për një çast sytë i vajtën tek një aparat ngulur në mes të tavanit e ndërkohë kuptoi se ajo sirenë e mallkuar vinte pikërisht prej atje.

Zuri të vishej, e natyrshëm ç’të zinte për dore, pasi koka i rrotullohej dhe donte sa më parë të dilte me qëllimin e mirë që t’i shpëtonte asaj zhurme lemeritëse. Kur me të dalë përjashta, veç ç’të shihte… Një turmë e madhe njerëzish nëpër korridore dhe që të gjithë të shastisur e për rrjedhojë edhe të trembur nga ai alarm që vijonte pa ndërprerje punën e tij të turbullonte kokat e njerëzve me mendje të shqetësuar dhe me shpirt të trazuar.

U frikësua në një çast të përdorte ashensorin, prandaj zuri të zbriste me hapa të shpejtë poshte ku më pas të dilte përjashta. Tentativa e parë ishte padyshim të merrte një informacion të çastit se ç’kishte nodhur në të vërtetë.

Fytyra të trishtuara njerëzish, grash e fëmijësh, lëvizje të pakontrolluara që s’gjenin prehje në asnjë çast, dikush përpiqej të strukej në shpirtin e tij e dikush tjetër të mbështetej diku për të vijuar përgjumjen, dikush vraponte përjashta me hapa të çrregullt dhe krejtësisht i pasigurtë e dikush mërmëriste në kërkim të një rrugëzgjidhjeje…

Lajmi mbërriti…

Bëhej fjalë për një alarm të rremë… Po kush ta besonte? Kërkonin një lloj sigurie për hapat e tyre të trembura dhe për shpirtrat e tronditur.

Duhej dikush të bënte një lëvizje të guximshme që njerëzit t’u ktheheshin folezave të tyre të prehjes… U deshën jo pak minuta të qetësohej situata e krijuar e më pas njerëzit nisën ashtu krejt pa dëshirë të pajtoheshin me “zgjidhjen”…

Trembje… Tronditje… Fanitje… Zgurdullim sysh… Marramendje… Llahtari… Shpirt i trazuar… i keqtrajtuar… Prehje e paarritshme për momentin…

Dita zbardhi si me të shpejtë…

Mengjesi erdhi …

Zgjimi jo i zakonshëm, por shpresa për një ditë të re plot magji e largonte disi atë trazim dhe atë mpiksje mendore dhe fizike të orës 04:00 të mengjesit…

Dikush e pranoi si një aventurë e dikush tentoi ta fshinte nga memoria e jetës…

Por më kot!… Çdo moment përbën një sekuencë në fletët e kalendarit të jetës…

Çdo dukuri përbën një sprovë që na bën të kuptojmë potencialin e karakterit dhe identitetit tonë…