Organizata nga BeH ndihmë financiare për rikonstruksionin e qendrës shëndetësore në Durrës

Mjetet u mblodhën gjatë aksionit humanitar të Merhamet "Ndihmë për popullin e Shqipërisë", që u organizua pas tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin në nëntor të vitit të kaluar

Një delegacion i Organizatës Humanitare Merhamet MDD, kryesuar nga kryetari Kenan Vrbanjac, vizituan qytetin e Durrësit në Shqipëri ku dorëzuan ndihmën me para në vlerë 20.000 KM (10.000 euro), transmeton Anadolu Agency (AA).

Mjetet u mblodhën gjatë aksionit humanitar të Merhamet “Ndihmë për popullin e Shqipërisë”, që u organizua pas tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin në nëntor të vitit të kaluar.

Delegacioni u prit nga Aurora Hyka, drejtoreshë në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë.

Ndihma në para me vlerë 10.000 euro do të shpenzohet në rikonstruksionin e Shtëpisë së Shëndeti në Njësinë Administrative Sukth, në Qarkun e Durrësit, e cila u dëmtua nga tërmeti. Aty trajtoheshin rreth 30 mijë banorë, ku shumica e tyre janë boshnjakë me prejardhje nga BeH.

Hyka falënderoi Organizatën Humanitare Merhamet në emër të institucionit që drejton, në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe në emër të qytetarëve të Shqipërisë, për siç tha, donacionin e vlefshëm.

“Ishte një befasi e këndshme e këtij gjesti human të Merhametit, por edhe solidariteti i qytetarëve të BeH-së me popullin e Shqipërisë. Ky është një gjest që nuk harrohet”, ka thënë Hyka.

Vrbanjac theksoi se qytetarët e BeH-së, si shumë herë më parë, iu përgjigjën aksionit të Merhamet dhe se nuk i harrojnë ata që u siguruan atyre ndihmë kur u duhej më së shumti, gjatë agresionit në BeH.

Delegacioni i Merhamet, së bashku me drejtoreshën Hyka, vizituan Qendrën Shëndetësore në Njësinë Administrative Sukth. Mirjam Beu, drejtori i këtij institucioni shëndetësor, tha gjatë bisedës se donacioni i Merhamet do të mundësojë rindërtimin e Qendrës Shëndetësore, e cila u ndërtua në vitin 1933, dhe e cila u dëmtua në tërmetin e fundit, si dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për popullatën e kësaj njësie administrative.

“Pas rindërtimit, në hyrje do të vendoset një pllakë mermeri, në të cilën do të shkruhet se Merhamet ndihmoi në rindërtimin e Qendrës tonë Shëndetësore dhe kjo do të jetë shenja jonë e mirënjohjes së përjetshme për Merhamet dhe qytetarët e BeH-së. Banorët e Sukthit, veçanërisht boshnjakët që e kanë origjinën nga Bosnja dhe Hercegovina, do të jenë krenarë për këtë gjest tuajin human”, tha Beu.

Delegacioni i Merhamet gjithashtu u takua me përfaqësues të boshnjakëve në Shqipëri dhe iu dhanë libra (fletore pune dhe broshura për fillestarë për gjuhën boshnjake), të cilat do t’u shpërndahen fëmijëve boshnjakë, nxënësve të shkollës fillore të klasës së parë.