OSBE fillon misionin e vëzhgimit për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Në konferencën për media, ku u njoftua fillimi i misionit vëzhgues, Jonker theksoi se OSBE/ODIHR do të mbuloj zgjedhjet e ardhshme presidenciale me gjithsej 279 vëzhgues

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) zyrtarisht ka filluar misionin e vëzhgimit për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, të planifikuara për 21 prill, raporton Anadolu Agency (AA).

Misioni do të udhëhiqet nga Corien Jonker dhe përbëhet nga një ekip kryesor prej 11 ekspertësh të bazuar në Shkup, si dhe 18 vëzhgues afatgjatë të cilët nga 20 marsi do të shpërndahen në të gjithë vendin në ekipe shumëkombëshe nga dy vëzhgues.

Gjatë vëzhgimit, misioni do të takohet me përfaqësues të autoriteteve shtetërore, të partive politike, sektorit civil, medias dhe komunitetit ndërkombëtar.

Në konferencën për media, ku u njoftua fillimi i misionit vëzhgues, Jonker theksoi se ODIHR do të mbuloj zgjedhjet e ardhshme presidenciale me gjithsej 279 vëzhgues.

Ajo po ashtu theksoi se ODIHR do të kërkoj nga vendet anëtare të OSBE-së që të sigurojnë 250 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të angazhohen disa ditë para zgjedhjeve.

“Kjo është mbykëqyrja e tetëmbëdhjetë në vend. Misioni do të mbikëqyr jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por edhe periudhën para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve”, tha Jonker.

Në ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit do të mbikëqyrin hapjen e qendrave të votimit, procesin e votimit, numërimin e fletave të votimit dhe përmbledhjen e rezultateve.

Misioni po ashtu do të publikoj një raport periodik mbi punën gjatë vëzhgimit.

Rreth dy muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor, ODIHR do të publikoj një raport përfundimtar të vëzhgimit.