“OSBE kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të një shoqërie demokratike dhe shumë-etnike”

Ministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, njëherësh kryesues aktual i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Zbigniew Rau, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e autoriteteve kosovare me OSBE-në, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media pas disa takimeve që ka zhvilluar me përfaqësues të lartë të institucioneve qendrore dhe lokale në Kosovë, Rau tha se qëllimi kryesor i vizitës së tij ka qenë që të takohet me liderë të OSBE-së në Kosovë dhe të informohet sa i përket reformave në fushën e gjyqësorit, luftimin e korrupsionit, rritjes së lirisë së mediave dhe avancimit të reformës zgjedhore.

Ai tha se në takim me krerë të institucioneve është diskutuar për mënyrat e ndryshme nëpërmjet të cilave OSBE-ja mund të ofrojë ndihmën e saj përmes operacioneve në terren.

“OSBE vlerëson dhe çmon partneritetin dhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet lokale për më shumë se 20 vite. Përmes operacioneve në terren OSBE kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të një shoqërie demokratike dhe shumë-etnike dhe shpresoj sinqerisht që kjo të kontribuojë në stabilitetin dhe pajtimin në Evropën Juglindore”, theksoi Rau.

Rau njoftoi se sot gjithashtu është takuar edhe me aktivistë të rinj që përfaqësojnë komunitete të ndryshme të shoqërisë civile dhe tha se është inspiruar nga entuziazmi dhe profesionalizmi i tyre për të shërbyer si shtytës të ndryshimeve pozitive në Kosovë.

Ministri Rau, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, gjatë ditës është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca, zv/kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq.

Gjithashtu pjesë e rendit të tij të ditës ishin edhe takimet me udhëheqësit e Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe me Grupin e Trajnuesve, grup ekspertësh të të drejtave të njeriut i themeluar nga OSBE-ja. Së fundi, ai vizitoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që mbështetet nga OSBE-ja dhe Polonia.