Prezenca e OSBE-së, bashkë me shkollat shqiptare dhe italiane të administratës publike, trajnoi zyrtarët e bashkive mbi anti-korrupsionin dhe mirëqeverisjen.
Kështu, nga data 4 qershor deri më 11 korrik 2018, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, së bashku me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, trajnoi 200 zyrtarë publikë mbi çështje të mirëqeverisjes, integritetit dhe anti-korrupsionit. Zyrtarët publikë të nivelit të mesëm e të ulët vinin nga rreth 20 bashki të qarqeve Tiranë, Durrës, Elbasan, Gjirokastër dhe Dibër dhe gjysma e tyre vetëm nga Bashkia e Tiranës.
Trajnimet dyditore – të përshtatur sipas nevojave të stafit të bashkive – u hartuan nga Prezenca, në bashkëpunim me shkollat shqiptare dhe italiane të administratës publike. Ato u fokusuan në përgjegjësinë publike të zyrtarëve, nevojën për mbikëqyrje dhe zbatim eficient të ligjit dhe akteve nënligjore si garanci për parandalimin e sjelljeve korruptive, si dhe në forcimin e integritetit të zyrtarëve publikë.
Këto trajnime janë pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për Masat Anti-korrupsion në Shqipëri”, i cili mbështetet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim. Kontributi i Prezencës në përpjekjet e Shqipërisë kundër korrupsionit jepet në tri drejtime kryesore: hartimi dhe monitorimi i politikave; rritja e kapaciteteve; dhe ofrimi i mjeteve për parandalim, edukim dhe ndërgjegjësim.



