Paga mesatare në ekonomi 56.7 mijë lekë në tremujorin e dytë

Aktivitetet financiare dhe të sigurimit dhe punonjësit në sektorin e informacionit dhe komunikacionit kanë pasur rritje të pagës mesatare në tremujorin e dytë të vitit duke u renditur edhe si sektorët më të mirëpaguar në vend.

Instituti i Statistikave raporton se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë 2021 është 56.710 lekë, duke u rritur me 4,7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Paga mesatare është në rritje prej tre 3-mujorësh radhazi pas rënies së theksuar që pësoi në 3 mujorin e tretë të vitit të shkuar.

“Gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 2,13 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkimi është 36,7% më e ulët”, raportoi INSTAT.

I njëjti nënvizon se krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2021 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Tregtisë; transportit; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, ka rritjen më të madhe prej 9,2%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i Aktiviteteve të pasurive të paluajtshme; Aktiviteteve shkencore, profesionale dhe teknike; Aktiviteteve të shërbimeve administrative dhe mbështetëse prej 0,7%.

Përmirësimi në tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor gjatë tremujorit të dytë të këtij viti duket se lidhet me rigjallërimin e aktivitetit ekonomik që në ndryshim nga ky vit kur situata ka qenë nomale pavarësisht pandemisë, në të njëjtën periudhë të 2020 koicidon me karantinën dhe masat e forta kufizuese dhe kur pagat u reduktuan.

Në aspektin e grup profesioneve INSTAT vlerëson se gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e Manaxherëve është 74,3% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 38,7% më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2021, paga për grup-profesionin e Punëtorëve (Profesione elementare) ka rritjen më të madhe prej 8,9%, ndërsa për grup-profesionin e Nëpunësve ka një rritje më të vogël, prej 0,6%.