Pandemia godet rëndë Spanjën, papunësia më e larta në 8 vite

Paralelisht, nevoja për punëtorë në shërbimet publike për të nisur vitin shkollor, së bashku me kontratat e përkohshme të shërbimit, rritën numrin njerëzve që kanë gjetur punë në të njëjtën periudhë, në një shifër rekord tremujore prej 570,000.

Spanja regjistroi rritjen më të madhe tremujore të të papunëve që prej viti 2012, në periudhën Korrik-Shtator, ndërkohë që ekonomia e varur nga turizmi është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.  Megjithatë, duke treguar se sa i luhatur ka qenë tregu i punës, një numër rekord i njerëzve kanë gjetur punë në tremujorin e tretë.  Në total, norma e papunësisë u rrit më shumë se ç’pritej, në 16.26%, nga 15.33% që ishte në tremujorin e dytë.

Treguesi ishte sipër projeksioneve të analistëve.  Kjo nuk përfshin punëtorët e larguar përkohësisht nga pandemia dhe njerëzit që nuk përmbushin kritere të caktuara teknike, ç’ka nënkupton se shifra e vërtetë mund të jetë shumë më e lartë.  Spanja ka pasur një nga karantinat më të ashpra në Europë në tremujorin e dytë,  gjë që solli dhe goditjen më të madhe ekonomike në kontinent.  Në mes të Qershorit, u hoqën masat më të ashpra dhe nisi sezoni i pushimeve, në përpjekje për të nxitur ekonominë, ndërkohë që një muaj më vonë goditi një valë e dytë e infeksioneve.  Të dhënat e fundit nga zyra e Statistikave treguan se 355,000 persona i’u bashkuan të papunëve, duke e çuar totalin në 3.72 milionë, ndërkohë që vendet e punës të krijuara në sezonin e verës, nuk mjaftuan për të kompensuar gjendjen e zymtë të ekonomisë.

Paralelisht, nevoja për punëtorë në shërbimet publike për të nisur vitin shkollor, së bashku me kontratat e përkohshme të shërbimit, rritën numrin njerëzve që kanë gjetur punë në të njëjtën periudhë, në një shifër rekord tremujore prej 570,000. Ekonomia spanjolle varet ndjeshëm tek turizmi, që përbën 12% të tregut të punës.  Dy prej destinacioneve kryesore turistike, ishujt Kanarie dhe Belearik, janë dy zonat që humbën pjesën më të madhe të vendeve të punës, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.