21.5 C
Tiranë
E martë, 19 Tetor, 2021

Partia Demokratike me figurën e Bashës, por me zërin e Berishës

Nga Redi Shehu

Tani mund ta themi me gojën plot se brënda Partisë Demokratike po zhvillohet nje konflikt i hapur politik për kreun e kësaj partie. Po aktualizohet një ngjarje e cila deri pak javë më parë kundërshtohej me energjinë më të madhe nga demokratët, sa herë që argumenti i ekzistencës së dualizmit në kryesimim e PD-së artikulohej në publik. Dy kryetarë për një parti janë gjithmonë shumë, dhe asnjë kryetar është gjithmonë pak për të adminstruar partinë. Ajo që ka ndodhur brënda PD-së nga 2013 –ta e deri më tani ka qenë fakti i të qënurit të z. Basha edhe kryetar edhe jo, si dhe fakti i të qënurit të z. Berisha edhe kryetar edhe jo. Pra, juridikisht ishte njëri, dhe faktikisht ishte tjetri. Ky dualizëm prishi regullin që ekziston në këtë botë por çdo organizim njerëzor, ku lidershipi fillon në formë piramidale, ku përgjegjësia, suksesi si dhe çdo gjë tjetër i atribuohet kreut të saj.

Ky model i zgjedhur nga vetë z. Berisha (si përkrahësi dhe tutori i z. Basha) ishte edhe mekanizmi i dështimit të partisë të cilën ai vetë e themeloi. Kanë të drejtë të dy personazhet të cilët pa u shprehur në publik (përjashtim bën z. Berisha) humbjen ia atribuojnë njëri-tjetrit, sepse në fakt Basha ka humbur me një parti të cilën nuk e kontrollonte totalisht, dhe Berisha ka humbur me nje parti të cilën nuk e komandonte totalisht. Pra, e thënë më shkurt Patia Demokratike këto dy mandatet e fundit pluskonte brënda një gjëndjeje non-sesni ku përgjegjësia dhe suksesi minimalisht përpjestoheshin në dy. Faji ngelej jetim dhe e drejta për të vazhduar pa dhënë llogari për humbjen, bëhej mëse legjitime. Instalimi i këtij sistemi patronazhi, më shumë se çdo gjë tjetër dëmtoi vetë PD-në dhe demokratët në përgjithësi.

Në vitin 2005 z.Berisha pati një ide brilante për të bërë rikthimin e madh pas goditjes politike shkatërrimtare të 1997-tës. Askush nuk besonte se Berisha do të buçiste përsëri në mikrofonat e pushtetit ndonjëherë në Shqipëri pas luftës civile të atij viti. Por KOP-i (Komiteti i Orientimit të Politikave) u shfaq në hapësirën politike shqiptare si një model i ri i politikës së imazhit, i cili përmes figurave të reja mundej shumë mirë të riqarkullote të vjetrën. Model i cili u përvetësua nga qeverisja aktuale dhe z. Rama duke e institucionalizuar atë në nivelet më të larta të politikbërjes.

Atë kohë Basha, një i ri i cili vinte nga studimet jashtë, ashtu si pjesa më e madhe e 31anëtarëve të KOP-it, u profilizua si gjeniu i cili do të frymëzonte shqiptarët drejt një vote masive djathats. Në fakt ashtu ndodhi, të ndihmuar nga korrupsioni endemik në Shqipërinë e qeverisjes Nano, pamja e re e PD-së, ndihmoi liderët e vjetër të vinin në pushtet në vitin 2005. Që nga ajo kohë Lulzim Basha ka qenë haptazi i përkëdheluri i pushtetit duke gëzuar gjithçka çfarë mund të gëzojë një politikan i ri, Ministër i Transporteve, Ministër i Jashtëm, Ministër i Brëndshëm, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe së fundmi Kryetar i Partisë Demokratike, pra domethënë e gjithë rruga politike që ndiqet në Shqipëri për të qenë kandidati i duhur për Kryeministër. Kryministri i asaj kohe z. Berisha dhe njëherazi edhe kryetari Partisë Demokratike, pa në cilësitë e z. Basha njeriun perfekt për të vazhduar dinastinë e tij edhe pa qene ai nominalisht në pushtet. Humbja e zgjedhjevetë 2013-tës e vendosi Berishën përpara dy alternativave, ose të vazhdonte si kryetar partie edhe pse kishte humbur zgjedhjet, gjë që do të sillte një kosto të madhe në imazhin e demokacisë së brëndshme të PD-së, ose të dorëhiqej duke lënë partinë të gjente liderin e duhur dhe të ndërtonte vetë rrugën e saj.

Ai zgjodhi të vetmen rrugë që një karakter si Berisha mund të zgjedhë, rrugën e tretë. Pra, edhe juridikisht të tërhiqej edhe praktikisht të vazhdonte të ishte kryetar real i PD-së. E ku kishte më mirë se sa Lulzim Basha, njeriun të cilin ai ngriti në të gjitha shkallët e pushtetit dhe praktikisht e kishte ndërtuar si një “Robocop” i cili ishte i gatshëm të bënte çdo gjë për Berishën. Domethënë një bir besnik politik ndaj një babai po ashtu politik që kishte qenë shumë bujar me të. E gjithë historia e PD –së nga 2013-ta e deri më 2021 ka qene ekzaktësisht ajo çfarë Bersha kishte pasur në mendje, një Parti Demokratike me figurën e Bashës por me zërin e Berishës. I gjithë konstrukti i ri i PD-së post 2013 ka qenë dhe është vepër e Berishës, duke nisur që nga kryetari i ri partisë Basha, i cili pati mbështetjen e babait politik haptazi në kurriz të kandidatit të asaj kohe Olldashi, e duke vazhduar me të gjitha etapat e rëndësishme të aksionit opozitar, me çadrën, marëveshjen e 2017-tës, braktisjen e parlamentit, molotovomaninë, si dhe braktisjen e zgjedhjeve lokale të 2019-tës përfshirë edhe rikonfirmin e Bashës si kryetar i PD në 2021. Aq besnik ishte z. Basha ndaj babait të vet politik saqë kur pak muaj më parë u pyet në një Tv Show se a do ta vriste babain e tij politik, karshi presionit në rritje amerikan, ai qe përgjigjur thjesht “kurrë!”.

Po çfarë ndodhi në Shtator të 2021 ku krejt papritur Basha e përjashton Berishën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike? Përse Berisha hakërrehet dhe fillon një lëvizje kundra Bashës brënda PD-së kur ai në ligjërimin publik hiqej si një deputet i thjeshtë dhe pa ndikim në PD? Këto pyetje të cilat gëlojnë në kokën e çdo demokrati por edhe të çdo shqiptari, marrin përgjigje nga vetë statura me të cilën Berisha po e profilizon veten e tij në publik. Nën petkun e një “lëvizje statutore për kthim të sovranitetit në PD” ai ka marrë përsipër barrën e shpëtimtarit të partisë për ta çuar drejt demokratizimit nga despotizmi i Bashës. Po a nuk pati të gjithë kohën e duhur për më shumë se tetë vite z. Berisha të niste një iniciatvë të tillë? Po përse pikërisht Berisha? Këtë mund ta bënte çdo kandidat për kryetar me platformën dhe bindjet e veta. Pas zgjedhjve të 25 Prillit kur të gjithë prisnim dorëheqjen e z. Basha (duke respektuar edhe një standart të vendosur nga Berisha), ky i fundit fiton zgjedhjet për kryetar në masën 80% duke mos pasur asnjë kundërshti nga brënda partisë, përjashto kandidatët tjerë për kryetar. Nuk pati asnjë kundërshti, pëkundrazi u ndje hapur mbështetja e lobit të fortë Berisha për rikonfirmimin e Bashës si kryetar.

Përse atëhere vetëm pas datës 9 Shtator të këtij viti, Berisha kthehet në një përbindësh kundër nxënësit të tij? Po sikur Basha të mos thyhej para presionit amerikan për ta përjashtuar Berishën nga grupi parlamnetar, a do ta quante Berisha nxënësin e tij “lider i thyer”? Unë besoj që jo. Do vazhdonte ta mbronte Bashën nga humbja në humbje ashtu siç ka bërë për tetë vjet. Nga e gjithë kjo në mësojmë se e gjithë retorika e z. Berisha për të demokratizuar PD-në, për t’i kthyer asaj sovranitetin dhe për ta sjellë atë në pushtet, nuk është gjë tjetër veçse një hipokrizi e karamelizuar me imazhin e Berishës së viteve ’90.

Këtu pastaj përveç një hipokrizie, ka edhe një manipulim të qëllimshëm që z. Berisha u bën simpatizantëve të tij, sepse ai e di fort mirë se me të PD nuk vjen në pushtet, se Berisha në kontekstin e sotëm nuk është një kalorës lirie. Manipulimi qëndron në faktin se ai u shfaqet simpatizantëve si Berisha i vjetër në kontekstin e ri, duke mos qenë i sinqertë për faktin se Berisha i ri në kontekstin e ri , veçse i zgjat jetën pushtetit të Edi Ramës.

Për çfarë sovraniteti flitet? A nuk është e gjithë elita politike shqiptare këto tre dekada që ka shkallmuar në masën më të pa imagjinueshme sovranitetin politik shqiptar? Po si mund ta kthejnë sovranitetin autorët e shkatërrimit të tij të çdo krahu qofshin? Pastaj, për çfarë duhet sovraniteti në një vend si ky i yni ku elitat tona politike kanë dëshmuar fort mirë se nuk janë të afta të prodhojnë demokraci? Po përse sovranitet vetëm tani e jo më parë?

Kjo që po i ndodh Partisë Demokratike është një proçes që duhet të ndodhte herët ose vonë. Është një proçes i dhimbshëm por i detyrueshëm për të ndarë një herë e mirë se kush është çfarë. Për t’i kthyer Partisë Demokratike respektin për veten së pari dhe pastaj respektin e mbështetësve të saj. Një proçes i cili tregon realisht sa dhe si z. Berisha dhe z. Basha janë vetvetja. Që tani, amerikanët dhanë sinjalin se duan të punojnë me PD-në e Bashës për forcimin e opozitës dhe fitoren e saj. Kjo është një mbështetje që lë te pragu i shtëpisë çdo gjuhë diplomatike, për shkak se ka kohë që tek ne etika politike ka ngelur jetime dhe është përdorur skandali si mekanizëm për të prodhuar konflikte dhe përplasje interesash. Çështja është se a do kemi një PD me fytyrën dhe zërin e Berishës apo një PD me fytyrën dhe zërin e Bashës? Apo dy të tilla? Sidoqoftë, ky mandat do të jetë mandati i ndërtimit të një PD-je të re me të gjitha kostot e saj, por ama të qartë dhe konkrete pa dualizma dhe pa mbivendosje. Ndoshta, atëhere demokratët mund të fillojnë të ndjejnë aromën e pushtetit.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme