Lëvizja e Unitetit Kombëtar Turk (TMBH), një parti turke në Maqedoninë e Veriut, ka dënuar vendimin e Greqisë për mbylljen e 12 shkollave fillore të pakicës turke në Trakinë Perëndimore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e bërë nga TMBH, është dënuar fuqimisht kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore të turqve të Trakisë Perëndimore nga Greqia, anëtare e Bashkimit Evropian (BE), duke theksuar se nuk kanë mundur të përshtatin këtë hap në asnjë kuptim të drejtësisë dhe ligjit.
Partia tha se shihet që Greqia, e ashtuquajtura “djepi i demokracisë”, me anë të qeverisë ka uzurpuar të drejtat dhe liritë themelore të turqve në Trakinë Perëndimore dhe i ka detyruar hapur dhe qartë të asimilohen.
“Vendimi për mbylljen e 12 shkollave fillore turke, prej të cilëve 8 në Rodop dhe 4 në Xanthi, duke filluar nga viti arsimor 2021/22, është një vendim tejet trishtues dhe i pabazë”, thuhet në deklaratë, ku potencohet se nuk mund të pranohen arsyetimet si masat e kursimit dhe pamjaftueshmëria e nxënësve.
“Një vend i BE-së që shkel të drejtat dhe liritë e njeriut nuk mund të jetë kurrë djep i demokracisë”, tha TMBH më tej.
TMBH gjithashtu kërkoi nga BE-ja që t’i intervenojë menjëherë Greqisë për të mbrojtur principet e veta.
Sipas tyre, e drejta ndërkombëtare dhe të drejtat dhe liritë e njeriut duhet të jenë në thelb, jo me fjalë.
“BE mund të flasë për shoqëri qytetare vetëm e vetëm nëse mund të sigurojë ligjin dhe sundimin e ligjit pavarësisht nga kombësia, feja, raca, gjuha dhe kultura. Është e papranueshme të kufizohen të drejtat dhe liritë si arsimi duke marrë parasysh kombësinë, fenë dhe gjuhën, e refuzojmë dhe dënojmë fuqishëm. Me këtë rast i ftojmë deputetët tanë turq në Kuvendin e Greqisë në detyrë”, thuhet në deklaratë.
Ministria greke e Arsimit, dje vendosi mbylljen e 12 shkollave të pakicës në Trakinë Perëndimore duke u arsyetuar në pamjaftueshmërinë e nxënësve.
Që nga viti 2011, me të njëjtin arsyetim, Greqia ka mbyllur gjithsej 132 shkolla fillore të pakicës turke, duke e ulur numrin e tyre në 103.



