Pas Merkelit, Franca mund të tentojë të rrëzojë Gjermaninë si “superfuqia” e Europës

Pasi kancelarja gjermane Angela Merkel të largohet nga detyra pas zgjedhjeve të ardhshme të vendit, shumë ekspertë politikë do të vëzhgojnë nga afër Francën.

Kjo për shkak se ata mendojnë se Franca (konkretisht presidenti Emmanuel Macron) sheh mundësinë për të zëvendësuar Gjermaninë si udhëheqës de facto i Europës.

Ka të ngjarë që Macron të përpiqet të bëhet figura qendrore e Europës sapo Merkel të largohet, thonë analistët, dhe ai është pozicionuar për ta arritur këtë për njëfarë kohe.

“Ne tashmë shohim përpjekje paraprake për të marrë në dorë udhëheqjen e Europës”, tha Carsten Brzeski për CNBC. “Franca i ka bërë thirrje BE-së që të lehtësojë rregullat në lidhje me deficitet buxhetore të shteteve anëtare dhe nivelet e borxhit ndaj PBB-së, veçanërisht në kushtet e pandemisë së koronavirusit, ndërsa Gjermania tradicionalisht e ka kundërshtuar çdo lehtësim të rregullave që kanë për qëllim frenimin e deficiteve dhe borxhit.

Megjithatë, këtë vit edhe Franca do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe unë mendoj se testi i vërtetë do të vijë pas zgjedhjeve franceze, në rast se Macron rizgjidhet. Atëherë ne mund të shohim një përpjekje më të fuqishme për të marrë në dorë udhëheqjen europiane”, tha ai.

Kë do të preferonte Macron?

Kandidati për kancelar, Olaf Scholz, është ministri aktual i financave dhe zëvendëskancelari.

Macron mirëpriti Scholz dhe rivalin e tij Armin Laschet në Pallatin Elysee në fillim të shtatorit. Tërhoqi vëmendje fakti se mungonte një ftesë për kandidaten e Partisë së Gjelbër të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Analistët thonë se Macron ka të ngjarë të favorizojë Scholz mbi Laschet, kandidatin e paraqitur nga blloku konservator CDU-CSU si pasardhës i Merkelit.

Ndikimi ekonomik

Një fushë ku Franca do ta kishte të vështirë të barazonte Gjermaninë është në aspektin e ndikimit ekonomik.

Në vitin 2019, para se të godiste pandemia Covid-19, pothuajse një e katërta e prodhimit të brendshëm bruto të BE-së (24.7%) u krijua nga Gjermania, e ndjekur nga Franca (17.4%) dhe Italia (12.8%), më pas Spanja (8.9%) dhe Holanda (5.8%).

“Unë nuk mendoj se roli i Gjermanisë do të zvogëlohet. Mund të jetë më pak efektiv, por nuk mendoj se do të zbehet”, tha Naz Masraff, drejtor në Eurasia Group.

Ekonomistët thonë se ekonomia gjermane ka të ngjarë të mbetet konkurruese pavarësisht se kush drejton qeverinë.

“Fuqia dhe ndikimi i Gjermanisë reflekton fuqinë e ekonomisë së saj, gjendjen e mirë të financave publike dhe rolin e padiskutueshëm si spirancë financiare e Eurozonës”, tha Holger Schmieding, kryeekonomist në Bankën Berenberg. Nën drejtimin e Macron, Franca po ecën mirë, por është ende larg nga arritja e fuqisë ekonomike dhe financiare e Gjermanisë”, tha ai.

Nuk ka gjasa që Macron të gëzojë popullaritetin e Merkel, një udhëheqëse që po largohet nga detyra me dëshirën e saj, pas 16 vjetësh.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit në 12 vende të BE-së nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, shumica e europianëve të anketuar ishin skeptikë në lidhje me aftësinë e Macron për të arritur aftësitë drejtuese të Merkel.

Kur ECFR pyeti të anketuarit se për kë do të votonin në një garë hipotetike midis Merkel dhe Macron për një rol si drejtues i BE-së, shumica e europianëve (41%) thanë se do të votonin për Merkel, dhe vetëm 14% për Macron. Ndërsa 45% thanë se nuk e dinin, ose nuk do të votonin fare./ CNBC