Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, tha se dy sisteme të reja raketore tokësore do të zhvillohen pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Marrëveshja e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF), raporton Anadolu Agency (AA).
Në një takim me zyrtarët ushtarakë rusë, Shoigu diskutoi hapat e ardhshme pas tërheqjes së SHBA-së nga INF.
Duke theksuar se SHBA zhvillon raketa tokësore që tejkalojnë kufijtë e INF-së në nivel prej 500 kilometrash, Shoygu tha se presidenti rus Vladimir Putin ka theksuar gjithashtu “nevojën për përgjigje simetrike ndaj kësaj iniciative”.
Ministri rus tha se tashmë kanë nisur punimet në këtë drejtim që do të përfshijnë periudhën 2019-2020.
“Deri në vitin 2021 duhet të përfundojë zhvillimi i një rakete lundruese me rreze të gjatë dhe zhvillimi i një rakete hipersonike me rreze të gjatë, të vendosura në tokë. Rritja e rrezes së veprimit të sistemeve raketore të vendosura në tokë është me rëndësi të madhe”, tha Shoygu.
Ndryshe, javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, duke e akuzuar Rusinë për shkelje të marrëveshjes INF, njoftoi tërheqjen e njëanshme të Washingtonit nga pakti i nënshkruar në vitin 1987 me Bashkimin Sovjetik, i cili parashihte ndalimin e raketave me kokë bërthamore me rreze veprimi nga 500 deri në 5.500 kilometra.
Ndërkaq, presidenti rus Putin po ashtu e ka akuzuar SHBA-në për shkelje të marrëveshjes, duke thënë se përgjigja e Rusisë do të jetë simetrike.
“SHBA njoftoi pezullimin e marrëveshjes. Edhe ne e pezullojmë atë”, është shprehur Putin.



