Pas rastit Khashoggi edhe princi saudit pretendon se i kishin ngritur kurth për ta rrëmbyer

Princi Khalid bin Farhan al-Saud i Arabisë Saudite, rezident në Gjermani, pretendoi se udhëheqja e vendit të tij kishte dashur ta rrëmbejë, por kishte dështuar...

Princi Khalid bin Farhan al-Saud i Arabisë Saudite, rezident në Gjermani, pretendoi se udhëheqja e vendit të tij kishte dashur ta rrëmbejë, por kishte dështuar.

Pas zhdukjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në 2 tetor, pasi kishte hyrë në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, në një prononcim të bërë për agjencinë gjermane të lajmeve “DPA”, Princi Khalid bin Farhan al-Saud pretendoi se udhëheqja e Arabisë Saudite “i kishte ngritur kurth për ta rrëmbyer”.

Princi saudit tha se disa ditë para se të zhdukej Khashoggi, një prej të afërmve të tij rezidentë në kryeqytetin Kajro të Egjiptit kontaktoi me të dhe në dorën e tij kishte një çek.

“Ai tha se këtë çek e kishte përgatitur për mua për të më ndihmuar. Por për ta marrë atë duhet të shkoja në Ambasadën e Arabisë Saudite në Kajro. Unë e kuptova që ky ishte një kurth”, tha Khalid bin Farhan al-Saud.

Princi deklaroi se nuk ka asnjë dyshim që nëse do ta kishte bërë këtë, do të rrëmbehej dhe do të pësonte edhe ai fatin e Khashoggit.

DPA-ja bëri të ditur se Ambasada e Arabisë Saudite nuk ka dhënë ende asnjë përgjigje në lidhje me pretendimet në lidhje me këtë çështje.

Agejncia gjermane shkroi gjithashtu se njësitë shtetërore gjermane të sigurisë konfirmuan kërcënimet ndaj Khalid bin Farhan al-Saud dhe familjes së tij dhe Arabia Saudite i ka bërë kërkesë Gjermanisë për ekstradimin e princit saudit./trt