Pas rritjes së rasteve me Covid-19, Kosova rikthen masat e izolimit total

Të shtunën në Kosovë janë konfirmuar edhe 96 raste me coronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 2590. Raste aktive janë 1.148.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke shprehur shqetësimin me numrin e madh të ditëve të fundit të personave të prekur me COVID-19, ka thënë se nëse vazhdon të rritet numri i rasteve pozitive do të rikthehen masat e izolimit total.

Përmes një postimi në Facebook, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së dhe ato të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë”, ka shkruar Hoti, përcjell Telegrafi.

“Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”.

“Mos përmbushja e këtyre masave rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, është e dënueshme. Nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel këto rregulla. Nuk mund të pësojmë si shoqëri për shkak të papërgjegjësisë së bartësve të institucioneve apo bizneseve që nuk i ndërmarrin masat mbrojtëse adekuate”.

“Masat për tu mbrojtur janë të thjeshta: (1) maska, (2) distanca fizike dhe (3) larja e duarve. Vetëm kaq mjafton për ta ruajtur veten, fëmijët tanë, prindërit, por edhe bashkëpunëtorët në vendin e punës, bashkudhëtarët në autobus e taksi, apo personin ngjitur në tavolinën tjetër në restorant”, ka deklaruar Hoti.

Të shtunën në Kosovë janë konfirmuar edhe 96 raste me coronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 2590. Raste aktive janë 1.148.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar dje se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 87 pacientë. Numri i përgjithshëm i të shëruarve, tani ka arritur në 1.394.

Në mesin e 96 rasteve të konfirmuara të shtunën si pozitivë në testin për COVID-19 është edhe deputeti i LDK-së Kosovës, Arben Gashi dhe familja e tij.

Që nga mesi i muajit mars, kur janë paraqitur rastet e para me sëmundjen COVID-19, në Kosovë kanë vdekur 48 pacientë. /Telegrafi