Pasaporta e Suarez, hetime edhe nga federata italiane

Çështja e testimit të gjuhës italiane për Luis Suarez për të marrë pasaportën e vendit të Apenineve po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Federata Italiane e Futbollit ka vendosur të hapë hetimet e saj për të hedhur dritë mbi provimin e gjuhës së dhënë nga Suarez.

Sipas Prokurorisë së Perugias provimi i dhënë nga Suarez ishte një farsë teksa nga dokumentat e siguruara nga Guardia Di Finanza pas kontrollit blitz të ushtruar në selinë e Universitetit për të Huajt në Perugia, rezultoi se përmbajtja e testit i ishte dhënë më parë uruguajanit, ndërkohë që edhe nota ishte përcaktuar përpara dhënies së provimit.

Prokuroria e Federatës Italiane të Futbollit, Giuseppe Chine ka kërkuar edhe aktet e hetimit të magjistraturës së Perugias. Por historitë nuk mbyllen me kaq, mediat italiane flasin edhe për një përfshirje të mundshme të Juventusit.

Klubi torinez për momentin nuk është në hetim, por pozicioni i tij rrezikon të rëndohet në të gjithë çështjen Luis Suarez. Sipas Corriere della Sera ka dalë në dritë përgjimi i një bisede mes avokates Maria Turco që përfaqëson Juventusin dhe Drejtorit të përgjithshëm të Perugias, Simone Olivieri. Sipas kësaj të përditshmeje, avokatja ka telefonuar 3 herë Olivierin për të përshpejtuar kohët e provimit të uruguajanit që fillimisht ishte vendosur që të zhvillohej në 22 shtator, datë që u përafrua ne 17 shtator