Për herë të parë një film nga Kosova fiton në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë

“Suksesi i filmit shënon dhe dëshmon cilësinë dhe avancimin që ka arritur kinematografia e Kosovës ” tha ministrja kosovare e Kulturës, Vlora Dumoshi

Filmi “Exil” nga regjisori Visar Morina ka fituar çmimin kryesor “Zemra e Sarajevës” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë, në një ceremoni të organizuar “online” për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Ministria e Kulturës nëpërmjet një komunikate për media, ministrja Vlora Dumoshi është shprehur e lumtur për këtë çmim në këtë festival të rëndësishëm të filmit.

“Uroj nga zemra regjisorin kosovar Visar Morina dhe ekipin realizues të filmit për këtë arritje të rëndësishme për kulturën e Kosovës në përgjithësi. Suksesi i filmit shënon dhe dëshmon cilësinë dhe avancimin që ka arritur kinematografia e Kosovës”, ka thënë Dumoshi.

Filmi rrëfen tregimin e një inxhinieri të kimisë në Gjermani me origjinë nga Kosova, i cili ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, për shkak të prejardhjes së tij etnike, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit.

Filmi sjell një kastë të aktorëve vendas dhe të huaj, si Sanrda Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi.