Përfundon Programi i Trajnimit “Shkolla Rinore Ballkanike”

Në qytetin e Shkodërs është organizuar ceremonia mbyllëse dhe e shpërndarjes së certifikatave të projektit “Shkolla Rinore Ballkanike” e mbështetur nga Presidenca e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB)...

Është mbyllur me një ceremoni festive programi i tretë i trajnimit në kuadër të projektit “Shkolla Rinore Ballkanike”, i organizuar nga shoqata “Istanbul” në partneritet me YTB (“Organizata për Turqit jashtë Shtetit dhe Komunitetet Mike”) dhe shoqatën ” Përpjekje”.

Për të dytin tretin vit radhazi Shoqata “Istanbul” falë mbështetjes dhe bashkëpunimit të ngushtë me YTB, sjell këtë program trajnimi për të rinjtë dhe të rejat e qytetit të Shkodrës.

Në sferën e veprimtarive social – kulturore që shoqata “Istanbul” organizon në bashkëpunim me organizatat homologe, ky program është i një rëndësie të veçantë, pasi ka si grup të synuar, të rinjtë dhe të rejat, të cilët janë pjesa më vitale e shoqërisë. Programi synon sensibilizimin e kësaj kategorie për rolin që duhet të ketë në shoqëri dhe mbajtjen e saj larg fenomeneve negative.

Projekti “Shkolla Rinore Ballkanike” konsiston në organizimin e një cikli seminaresh me karakter trajnues, ku trajtohen tematika të larmishme kulturore, fetare, filozofike e historike.

Këtë vit pjesëmarrësit e programit patën mundësinë të marrin informacion, të diskutojnë dhe të aftësohen rreth tematikave të trajtuara nga lektorë me përvojë si : Redi Shehu, opinionist dhe studiues, Ergys Mërtiri, pedagog dhe sociolog, Armand Bora, regjisor i mirënjohur, Fitim Zekthi, analist, Agim Baçi, kritik letrar dhe studiues dhe Fabian Zhilla pedagog dhe studiues.

Aktiviteti përmbyllës u zhvillua në ambientet e ‘Gardenland Resprt’ në periferi të qytetit.

Këtë aktivitet e përshëndeti, sekretari i shoqatës “Istanbul” z.Bledjan Mehmeti, i cili me këtë rast shpërndau edhe certifikatat për pjesëmarrësit në program.

Pjesëmarrësve të programit trajnues, në kuadër të projektit “Shkolla Rinore Ballkanike” do t’u jepet mundësia të vizitojnë për disa ditë Turqinë dhe të njihen nga afër me historinë, kulturën dhe traditat e këtij vendi mik për Shqipërinë dhe shqiptarët.