Përkthimi ende problem, shtëpitë botuese duhet t’i paguajnë më shumë shqipëruesit

Kujdesi i shtëpive botuese për të sjellë autorët e huaj e sidomos ato që janë tepër të vlerësuar nga kritika, është i madh.

Mirëpo përpos një emri të dëgjuar, vepra e të cilit është shitur në shumë vende të botës dhe një kujdesi të shtuar për paraqitjen vizuale, në Shqipëri është evident problem i përkthimit.

“Një përkthyes i vetëdijshëm për detyrën e tij, për pasionin e tij, do që përkthimi i tij të kuptohet. Përkthimi është në qendër të komunikimit. Meritë të madhe për përforcimin e gjuhës shqipe kanë qenë rilindasit”, u shpreh Edmond Tupja.

Për secilin përkthyes, sjellja e një vepre të huaja, jo vetëm që mban gjuhën shqipe gjallë, por pasuron kulturën, e këtë nuk mund ta marrë përsipër kushdo se mjeshtëria e përkthyesit qëndron në kulturën gjuhësore dhe letrare të tij.

‘Përkthimi letrat nuk është thjesht shkencë e ftohtë është e pasion”, u shpreh Tupja.

“Përkthimi ka shumë të mira, por ka edhe probleme. Një përkthyes i mirë do kishte në bazë, jo vetëm njohjen e gjuhës së huaj por edhe njohjen e gjuhës shqipe”, u shpreh Aida Baro.

Përgjegjës kryesor të veprave të përkthyera keq dhe që shtrembërojnë autorin fillestar, mbetet e shtëpive botuese, që për të minimizuar humbjet financiare janë gati të marrin këdo të ri që njeh mire një gjuhë të huaj.

Është një fije e hollë e ndarjes së krijimit të autorit fillestar me atë të përkthyesit, i cili në shumicën e herëve i jep autorësinë e tij duke i shtuar më shumë se ç’duhet nga vetja dhe botëkuptimi i tij.

“Mitrush Kuteli, përkthyer, shkrimtar e ka thënë shumë bukur: Kur shkruaj një libër në gjuhën time është vepra ime, por kur do përkthej, përkthimin e bën kultura ime’”, tha Tupja.

Megjithatë ato që i kanë kushtuar jetën përkthimit janë në një mendje, që duhet një shkollë apo trajnim i veçantë për ata që duan të futën në botën e madhe dhe me shumë peshë të përkthimit.

Duket se pagesa e ulët që ofrojnë shtëpitë botuese bën që shumë nga përkthyesit e mirë, të mos marrin përsipër të përkthejnë asnjë vepër, e duket se për të intervistuarit, përkthimi së pari është një pasion dhe kontribut i paçumueshëm që i bëhet kulturës dhe gjuhës shqipe.