Përmbysje kampionësh, Tirana zgjohet në Shkodër, Vllaznia në krizë totale, titulli komplikohet ndjeshëm

Taulant Seferi kishte mundësi të shënonte edhe golin e qetësisë por sulmuesi i kombëtares nuk ishte i saktë në finalizim në asnjë moment.

Klasikja e futbollit shqiptarë dhuroi emocione, gola, përmbysje rezultati, në fund ata që festojnë janë kampionët në fuqi. Tirana reagon pikërisht atëherë kur shumë pak veta e prisnin, ndez edhe një herë sezonin e tyre por mbi të gjitha ndez garën për titull. Vllaznia vijon rënien e lirë, e ka të pamundur të kthehet tek fitorja duke humbur gjithnjë e më shumë terren në raport me rivalët. Në “Loro Boriçi” kuqeblutë krijuan iluzionin se makthet e ndeshjeve të fundit ishin një kujtim i largët duke e nisur ndeshjen me gola që nga tuneli.

Në aksionin e parë, në zbritjen e parë në zonën e Tiranës, Da Silva fiton një 11-metërsh në minutën e dytë. Nga pika e bardhë e penalltisë, Dilaver u tregua i saktë duke kaluar Vllazninë në avantazh.

Festa zgjati shumë pak, katër minuta më pas, Idi Batha ekzekutojë në mënyrë perfekte një goditje dënimi në kufijtë e zonës së rreptësisë duke barazuar shifrat në 1-1. Kampionët në fuqi zbritën më ta karikuar me fillimin e pjesës së dytë, Cale i sapo hedhur në fushë konvertoi në gol një asist perfekt nga Seferi duke përmbysur rezultatin në minutën e 51-të.

Taulant Seferi kishte mundësi të shënonte edhe golin e qetësisë por sulmuesi i kombëtares nuk ishte i saktë në finalizim në asnjë moment.

Bardheblutë festojnë për këtë fitore që i mban në garë për një vend në kupat e europës ndërsa Vllaznia zhytet gjithnjë e më shumë në krizë. Në dy sfidat e tjera të javës së 21-të, Bylis mposhti Skënderbeu me rezultatin 1-0 ndërsa Kastrioti dhe Apolonia ndanë nga një pikë pas barazimit pa gola.