Petrit Ajeti emërohet në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë

Sipas njoftimit nga Presidenca, emërimi është bërë në përputhje me kompetencat kushtetuese të presidentes dhe kryeministrit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë emëruar Petrit Ajetin si drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Presidenca, emërimi është bërë në përputhje me kompetencat kushtetuese të presidentes dhe kryeministrit të Kosovës.

Petrit Ajeti ka lindur në Gjilan, më 11 tetor 1981. Shkollën fillore dhe të mesme i ka mbaruar në Gjilan. Në vitin 2001 ka vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Gjithashtu, ka kryer studimet në nivelin Baçelor në Shkencat Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Studimet e nivelit master Ajeti i kreu në fushën e Arteve në Përgjegjësinë Sociale të Korporatave në Universitetin Metropolitan të Londrës në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ka ndjekur disa programe ndërkombëtare në kuadër të zhvillimit profesional në fushën e sigurisë.