Pipero: Pjesa më e madhe e të shtruarve në spitale mbi 60 vjeç! Brataj: Të rinjtë që kanë rrufë…

Mjekët Pëllumb Pipero dhe Skënder Brataj, kanë thënë se pjesa më e madhe e rasteve me COVID-19 janë të moshave mbi 60 vjeç.

Ata thonë se ka shumë persona të atyre moshave që ende nuk e kanë bërë vaksinën dhe shfaqin simptoma të theksuara të sëmundjes.

“Praktikisht moshat e rritura, mbi 60 vjeç, kush nuk e ka bërë në kohën kur ishte fasha e obliguar është më rezistent për të mos e bërë. Në praktikën e përditshme, pjesa më e madhe e rasteve që vijnë janë të këtyre moshave. Duhet të kemi në konsideratë që COVID-i midis moshave të reja, numri i rasteve që sëmuren është më i vogël dhe më i vështirë të bjerë në sy. Ndërsa moshat e rritura kanë simptoma më të theksuara”, tha Pipero.

Për mjekun Skënder Brataj, shqetësuese është fakti që efikasiteti i testit të shpejtë ka rënë. Ai tha se të rinjtë që kanë rrufë dhe bëjnë këtë test dalin negativë, por në fakt, ai mund të ketë sëmundjen dhe e transmeton atë në shkallë të gjerë.

“Ka shumë të rinj që thonë jemi me rrufë. Edhe testi i shpejt e ka humb atë efikasin e tij. Kjo është gjëja më e keqe, duke qenë negativ, ti nuk mbrohesh dhe e transmeton lehtësisht. Nga data 10 tetor e deri dje ne kemi bërë vizita të shumta në banesë, por shumica prej tyre janë dërguar në spital. Ai që shkon në spital është forma e mesme e rëndë dhe këta janë ata që kërkojnë ndihmë”, tha Brataj.