Plagosen 31 palestinezë në një tjetër bastisje të policisë izraelite në xhaminë Al-Aksa

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se ekuipazhet e saj iu përgjigjën 31 personave të plagosur, me dy prej tyre të lënduar rëndë

Policia izraelite bastisi sërish kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor sot, duke shkaktuar përleshje me palestinezët në të cilat u plagosën 31 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze në një deklaratë tha se ekuipazhet e saj iu përgjigjën 31 personave të plagosur, me dy prej tyre të lënduar rëndë. Gjithashtu 14 të plagosur u dërguan në spital për trajtim.

Dëshmitarët okularë për AA thanë se policia izraelite lëshoi një breshëri plumbash gome dhe bomba zhurmuese kundër palestinezëve në kompleks pasi e bastisi atë nga portat Al-Silsila dhe Al-Mughrabi.

Disa të rinj palestinezë hodhën gurë ndaj forcave të policisë izraelite të vendosura në zonën Bab al-Silsila.

Zjarr shpërtheu në një pemë pranë portës Al-Mughrabi në murin perëndimor të xhamisë Al-Aksa ndërsa ekipet e Departamentit të Vakëfeve punuan për ta shuar atë.

Të rinjtë palestinezë hodhën gurë dhe fishekzjarre ndaj forcave të policisë, të cilat u përgjigjën me plumba gome dhe bomba zhurmuese.

Dhjetëra mijëra palestinezë e falën namazin e sabahut në xhami dhe mijëra prej tyre morën pjesë në një protestë para xhamisë Kibli, gjatë së cilës ata brohoritën parulla që pohonin qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e xhamisë Al-Aksa.