Policia mohon hackerimin e sistemit MEMEX: Po kryhen hetimet për rrjedhjen e informacioneve, media të mos i publikojë

Policia e Shtetit ka mohuar rrjedhjen e informacioneve nga sistemi MEMEX ditën e sotme. Përmes një njoftimit zyrtar, thuhet se nuk është prekur asnjë e dhënë sensitive e sistemit policor dhe se po hetohet origjina e rrjedhjes së këtyre databazave.

Rrjedhja e informacioneve u komentua sot edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ai tha se nga sistemi MEMEX janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të hetuar për çështje të ndryshme.

“Nga sistemi MEMEX, i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet”, tha Berisha.

REAGIM I POLICISË SË SHTETIT:

Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX.

Policia e Shtetit njofton se, deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave dhe apelon që, në zbatim të urdhrit të prokurorit, të datës 19.09.2022, të mos publikohen nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit, të dhëna që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik ndaj sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit.