Presidenti Thaçi kryen një ndërhyrje kirurgjikale

Pas përfundimit të këtij intervenimi, sipas njoftimit, presidenti Thaçi është shprehur mirënjohës për profesionalizmin dhe kujdesin e stafit profesional në Klinikën e Urologjisë.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite (23 prill) i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në Klinikën e Urologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Njoftimi është bërë nga zyra e presidentit.

“Sipas personelit mjekësor, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe presidenti është nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor profesional” thuhet në njoftim.

Pas përfundimit të këtij intervenimi, sipas njoftimit, presidenti Thaçi është shprehur mirënjohës për profesionalizmin dhe kujdesin e stafit profesional në Klinikën e Urologjisë, transmeton REL.

Më 20 prill, presidenti Thaçi kishte qëndruar disa orë i shtrirë në Klinikën e Urologjisë, pas “shqetësimeve të shfaqura nga gurët në veshkë”.

Përkeqësimi i shëndetit të presidentit Thaçi ndodhë në kohën e pandemisë së koronavirusit. Zyra e tij nuk ka njoftuar nëse presidenti është testuar për koronavirusin e ri.