Presidentja Osmani takon sekretarin e përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga zv/kryeministrja Donika Gërvalla- Schwarz, njëherësh ministre e Jashtme dhe e Diasporës, gjatë vizitës në New York takuan sekretarin e përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani në takim me Stoltenberg ka theksuar se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes.

Sipas presidentes Osmani, qëllimi strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në komunitetin euroatlantik.

Presidentja Osmani në takim me shefin e NATO-s tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe e cilësoi anëtarësimin në këtë organizatë prioritet shtetëror të Kosovës, si një parakusht për sigurimin e paqes në rajon, ashtu edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta.

Më tej, Osmani ka theksuar se këtij hapi duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Në këtë kontekst, ajo e përmendi faktin se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila po zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s, do t’ia mundësojë Kosovës një rol aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.

Sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, presidentja Osmani tha se Kosova ka dënuar luftën e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe se është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.

Në këtë drejtim, presidentja kosovare ka theksuar nevojën e bashkërendimit të shteteve demokratike në rajon me NATO-n për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të ndaluar veprimet destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York në fillim të javës ku në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), krahas liderëve të tjerë botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.