Prishtinë, hapet fushata kundër ushtrimit të dhunës ndaj fëmijëve

Me mesazhet “Dhuna nuk është disiplinë”, “Asgjë më shumë dhe asgjë më pak se siguri” dhe “Rritëm me dashuri”, ka nisur në Prishtinë fushata sensibilizuese me moton “Dhuna nuk ka Justifikim”, si pjesë e fushatës së promovimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo fushatë, e cila ka në fokus të veçantë ndalimin e ndëshkimit trupor dhe dhunës ndaj fëmijëve ka filluar nga organizata “Syri i Vizionit” në partneritet me “Save the Children” në Kosovë dhe në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës .

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini tha se Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës obligon institucionet e Republikës së Kosovës që të punojnë në mënyrë të vazhdueshme për informim të qytetarëve dhe autoriteteve lokale dhe qendrore por edhe të forcojë trekëndëshin në mes të prindërve, fëmijëve dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve.

“Në këtë kontekst Qeveria ka marrë veprime dhe jemi duke punuar për të lansuar një program që i dedikohet një fushate gjithëpërfshirëse për vitin që vjen. Presim që gjatë këtij muaji më 19 nëntor ta lansojmë këtë program ku të gjitha ministritë dhe autoritetet lokale marrin veprime për të bërë aktivitete konkrete në këtë aspekt. Ajo që kemi bërë brenda kësaj jave është që kemi qenë në çdo komunë të Kosovës ku fëmijët kanë defiluar në sheshe me shkrimet e tyre që kanë përçuar mesazhe për të marrë veprime institucionale në parandalim të diskriminimit dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre në përgjithësi”, tha ai.

Menaxheri i programit për të drejtat e fëmijëve në organizatën “Syri i Vizionit”, Naser Lajçi tha se qëllimi i fushatës është që njëherë e përgjithmonë ta ndalojmë dhunën ndaj fëmijëve dhe sidomos asaj me ndëshkim trupor.

Lajçi thotë se dhuna nuk duhet të ndalohet vetëm në shkolla dhe familje, por në cilat do hapësira ku janë fëmijët, ndërsa në këtë aspekt, sipas tij, dy vitet e fundit është rritur numri i rasteve të raportuara nga fëmijët për ushtrim të dhunës ndaj tyre.

Raportimet nga Policia e Kosovës për keqtrajtimin e fëmijëve shfaqin një trend të qëndrueshëm gjatë viteve të fundit me rreth 200 raste në vit të dhunës së ushtruar ndaj kësaj kategorie.