Prishtinë, pavarësisht anulimit qytetarët protestuan kundër masave të reja të COVID-19

Qytetarë dhe pronarë të bizneseve protestuan para Qeverisë me kërkesë për heqjen e masave të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19 ose kompensimin e humbjeve financiare....

Pavarësisht se protesta e paralajmëruar nga grupi “Zëri i Popullit” dhe mbështetur nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës u anulua, dhjetëra qytetarë kanë dalë sot para Qeverisë për të kundërshtuar vendosjen e masave të reja kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Për protestuesit, masat e reja janë të dëmshme për bizneset dhe qytetarët, marrë parasysh se kufizimet nuk po përcillen me ndihma financiare nga ana e Qeverisë.

Ndërmarrësi Besfort Lulaj i cili shpërndanë ëmbëlsira tek disa qendra tregtare thotë se për momentin po operon me vetëm 30 për qind të kapacitetit shpërndarës.

“Jemi munduar ta mbajmë numrin e punëtorëve në fillim, sidomos në muajin e parë dhe të dytë, por në muajin e tretë masat kanë vazhduar dhe përkrahja e Qeverisë ka munguar dhe për këtë arsye jemi detyruar të largojmë punëtorë nga puna. Kjo ka qenë shumë e dhimbshme për ne si ndërmarrës sepse ka qenë shumë e vështirë t’i krijonim këto vende pune”, tha Lulaj.

Protestuesja Flutura Zymi thotë se nuk është kundër masave për parandalimin e pandemisë, por fillimisht nevojitet që të mbështeten qytetarët dhe ndërmarrjet, e pastaj të vendosen masat.

“Unë nuk jam pro (orës policore), sepse në çdo vend të botës ka masa, por, në çdo vend të botës çdo ditë del kryeministri dhe njofton se po miraton pako të ndryshme për mbështetjen e bizneseve dhe qytetarëve. Por, kur nuk mund ta votosh asnjë pako emergjente, nuk është në rregull që të vendosësh masa pa kurrfarë logjike”, thotë ajo.

Pronari i një kafeneje në Prishtinë, Shkodran Mehmeti thotë se konkretisht ai ka dalë për masat që prekin biznesin e tij, e si pasojë thotë se do të detyrohet të largojë punëtorë nga puna.

“Unë për shembull i kam 12 punëtorë në lokalin tim, domethënë automatikisht po detyrohem t’i heq 6 nga ta, sepse punën tash e tutje duhet ta mbaj vetëm me një turn dhe jo me dy. Sepse Qeveria nuk u paguan paga punëtorëve. Unë kam marrë sot edhe punëtorë me vete dhe vendosa që t’ua lë Qeverisë këtu, le të merret ajo me këta se nuk di çfarë t’u bëjë më, më kanë mbështetur për muri”, thotë Mehmeti.

Protesta gjithëpopullore e paralajmëruar u anulua vetëm pak kohë para orarit të mbajtjes. Ajo kishte disa pika me të cilat planifikohej të kundërshtoheshin si: jo orë policore, pakënaqësi me qeverisjen aktuale, mos-ofrimi i ndihmave financiare për qytetarët gjatë pandemisë, dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, e të tjera.

Të mërkurën, kryeministri i Kosovës ka shpalosur planin e masave të reja të cilat më pas u miratuan nga Qeveria nëpërmjet një mbledhjeje elektronike. Masat e reja parashohin një sërë elementesh për parandalimin e përhapjes së virusit përfshirë orën policore në komunat me rrezikshmëri të lartë nga ora 19:00 deri në orën 05:00 në mëngjes, ku futet edhe Prishtina; ndalimin e ndërmarrjeve biznesore për rreth 8 orë brenda 24 orëve, kufizimin e punëtorëve në ndërmarrjet publike, kufizime në transportin publik, e të tjera.

Kuvendi i Kosovës tash e disa javë po dështon të miratojë në lexim të dytë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike që kap vlerën e 385 milionë eurove ndërsa me miratimin e tij të plotë është thënë se do të mundësohet rikuperimi i humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi i ri (COVID-19).